Nga Irsa Ruçi/
Edhe në daljen e sotme publike në komunikimin me gazetarë, z. Basha përsëriti se krijimi i disa partive të djathta në këtë periudhë është “presion” që vjen nga Kryeministri Rama. Unë ja mirëkuptoj sikletin për të dalë nga situata në diskursin publik, por nëse kjo është një thënie naive që dikush ja ka shtirë në mend, natyrisht që filtrat e mesazheve duhet të përzgjidhen që të bëjnë të paktën sens në veshët e audiencës, për të mos e fyer atë.
Por nëse z. Basha e beson vërtet atë që artikulon, nëse është një gjykim me ftohtësi dhe i mirë menduar, dikush nga brenda Partisë Demokratike mund t’i thotë një “llaf” në vesh, meqë vetë nuk po e marrka vesh nga i kanë mbirë disa parti nën një çati. Nuk ja ka fajin askush dhe nuk ka pse bën luftë me mullinjtë e erës, kur pasojat i vijnë për shkak të lidershipit të tij të dobët dhe aspak në pritshmërinë e elektoratit të djathtë. Nëse numri një i partisë më të madhe opozitare është krejt i rëndomtë dhe aspak frymëzues, normalisht që lufta e brendshme do jetë e fortë dhe pritshmërinë për të zënë karrigen e kryetarit janë të larta tek secili që ka ambicie politike; dhe e vlerëson performancën e vetes më lart se ai që i udhëheq së brendshmi.
Së pari, z. Basha nuk e mori me meritë karrigen e kryetarit, por ja dhuruan. Nuk luf toi për të, nuk frymëzoi elektoratin për t’ia ndjerë shijen atij pozicioni ku aktualisht është pa meritë. Si çdo punë që e katandisi në hiçmosgjë; dhe atë post e arriti falë qylit. Kjo natyrisht që ka ngjallur pakënaqësi tek figura politike brenda të djathtës që kanë një jetë tek merren me partinë dhe e ndjejnë veten të përjashtuar.
Së dyti, kjo përçarje e madhe që po ndodh në të djathtën vjen si pasojë e mospërputhjes së brendshme në drejtim, lidhur me kohën dhe vendimet politike të marra për të tashmen dhe të ardhmen e PD-së. Mospërputhja, e mos gjetja zë brenda “familjes” politike është një greminë aq e thellë dhe e papranueshme saqë një pjesë e mirë kanë zgjedhur të “divorcohen” për të krijuar një strehë ku liria e mendimit të jetë parimi kryesor. Mungesa e një figure autoritare dhe paaftësia e dëshmuar kurdoherë e kreut të opozitës, e ka kthyer ambientin e brendshëm të së djathtës në një vend shurdh – memec, ku mesazhi përqendrohet tek një rreth vicioz njerëzish, (që kryesisht janë servilët e kryetarit) dhe pjesa hierarkike më poshtë thjesht duhet të përtypë ato që i jep për të ngrënë një grup shumë i ngushtë vendimmarrësish në PD.
Së treti, ashtu siç e dëshmoi edhe votimi për përzgjedhjen e deputetëve, ka një luftë përjashtuese në Partinë Demokratike, përpjekje për të larguar njerëz. Kushdo që është një zë kritik me kryetarin, përjashtohet dhe lihet jashtë radhëve. Z. Basha, për të fituar pozita në partinë e djathtë, po eliminon figura që kanë zë dhe dinë të artikulohen shumë më mirë se ai. Kjo tendencë përjashtuese ka sjellë dhe ngërçin që Partia Demokratike po e vuan vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve, duke tentuar të kthehet në faktor të rrezikshëm nëse i jepet pushtet. Sepse përçarja partiake, mund të përkthehet në një përçarje institucionale të afërt, që do sillte konflikte të forta brenda pushtetit.
Së katërti, shumica e të djathtës e kanë provuar mbi kurriz se ç’ hoqën gjatë viteve që PD qeverisi bashkë me LSI, sesi shteti u kthye në një thellë mishi që ndukej e ndukej pambarim derisa mbeti vetëm kocka. Askush nuk e do kthimin në atë formë dhe të gjithë janë të ndërgjegjshëm se regresi do sillte vetëm varfëri dhe humbje të thelbit të shtetit në vetvete. Ideja e një katrahure shtetërore që do prodhonte ardhja e PD-së në pushtet, i ka bërë më të përgjegjshmit e të djathtës të shmangen, duke mos dashur të qëndrojnë në llumin e pazareve politike.
Këto janë disa arsye që dëshmojnë se pse e djathta po përçahet në këtë formë dhe po humb plotësisht identitetin; dhe e gjithë përgjegjësia lidhet me grahmat e fundit të lidershipit, i cili çirret duke i jehuar zëri në zyrën bosh të Shqupit, duke përfaqësuar atë parti dikur të lavdishme, që sot e katandisi pa formë, pa motiv, pa ideal; thjesht në një mjet për të marrë pushtet!