Stadiumi i madh kombëtar i Varshavës do të transformohet pjesërisht në spital të përkohshëm për të sëmurët me COVID-19, në një moment kur Polonia po përballet me një rritje të konsiderueshme të kontaminimeve, njoftoi sot qeveria polake. Ndërtuar për Euro-2012 të futbollit, stadiumi me rreth 60 000 vende, do të mund të presë të sëmurët në shumë salla konferencash dhe polivalente që ndodhen në tribunat e tij, duke fillaur nga fundi i javës. “Rreth 500 shtretër do të vendosen në stadium për të pritur personat që kanë nevojë për shërbim spitalor”, theksoi zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller për televizionin “Polsatnews”.
Mes këtyre shtretërve, 50 do të jenë të pajisur me materiale që mundojnë marrjen e kujdesit intensiv”, theksoi për agjencinë e lajmeve PAP, Michal Dworczyk, kreu i zyrës së kryeministrit, i ngarkuar me këtë projekt. Media polake dhe shumë ekspertë kishin sinjalizuar tashmë mungesën e shtretërve të lirë në spitale dhe keqmenaxhimin për pritjen e pacientëve të rinj. Sipas dy zyrtarëve qeveritarë, projekte të ngjashme për krijimin e spitaleve janë parashikuar për secilin rajon të Polonisë, në rast nevoje.
Qeveria u bëri thirrje polakëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të punojnë në distancë duke njoftuar një sërë masash që parashikojnë frenimin e një rritjeje rekord të rasteve me COVID-19, që ka kaluar këto ditët e fundit pragum e 9 000 kontaminimeve të reja ditore në këtë vend me 38 milionë banorë, sipas ekspertëve.