Me moton “Të ecim shtigjeve të Dardanisë”, në Ditën Botërore të Turizmit është bërë hapja e sezonit turistik vjeshtë-dimër. Nga Brodi i Dragashit, përfaqësues të turizmit nga Kosova e Shqipëria, kanë bërë thirrje për vazhdim të fushatës “Pusho Shqip”, pasi kështu do të zhvillohet ekonomia dhe do të punësohen qytetarët e vendit.
I pranishëm në aktivitet, ministri i Turizmit i Kosovës, theksoi se “turizmi në të dyja vendet tona ka potencial të madh për të marketuar. Ndaj ne, dy ministrat e Turizmit, po punojmë në ndërtimin e guidave të përbashkëta turistike”.
“Duke qënë i vetëdijshëm se sektori i turizmit është i rëndësishëm për vendin tonë kemi vendosur të rrisim buxhetin dhe investimet në këtë sektor. Në duam të falenderojmë operatorët turistik që na pritën gjatë këtij sezoni turistik”, u shpreh ai.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi theksoi se “Pusho Shqip” synoi transformimin e turizmit në të dy anët e bjeshkëve për të promovuar në mënyrë të përbashkët, një destinacion i cili nuk ka nevojë të ketë ndarje administrative.
“Doja të falemnderoja operatorët turistikë kosovarë që kanë mbajtur një ritëm të jashtëzakonshëm. Deti është i çdo shqiptari jo vetëm i shqiptarëve të Shqipërisë, ta shndërrojmë në destinacion në rajon”, tha Klosi.
“E këtu në Dragash, një vend që vizitohet shumë nga shqiptarët e Shqipërisë, paramendoni si do të jetë e ardhmja e kësaj zone nëse ne bashkojmë Shishtavecin me Kosovën, por edhe Maqedoninë e Veriut. Duhet të mbledhin forcat e të mbështesim njëri-tjetrin, t’u bëjmë thirrje të vizitojnë Dragashin dhe të vizitojnë të gjitha pikat tona të Kosovës”, tha ai.
I pranishëm në aktivitet, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli u shpreh se ky përbën hapin e dytë drejt turizmit pa kufi, nën moton “Të ecim së bashku shtigjeve të Dardanisë”, duke vijuar atë çka iniciuam së bashku në sezonin veror nën moton “Pusho Shqip”.
“Qëndresa përkrahë njëri tjetrit e ministrit Klosi dhe atij të Kosovës , Veseli tregoi se kjo është një sipërmarrje e përbashkët e cila mund të jetë shumëfish më produktive”, u shpreh Leli.