Të gjithëve na ka ndodhur të hasemi prej kohësh me një fenomen të ri që është krijuar vitet e fundit. E kemi fjalën për ‘Giveaway’, ose e thënë në shqip, shortetë që organizohen nga persona apo biznese të ndryshme, në rrjetet sociale, dhe kushdo që merr pjesë, mund të përfitojë dhurata nga organizuesi i lojës. Por, problemi qëndron se në Shqipëri, po organizohen çdo ditë e më shumë, por pa asnjë bazë ligjore. Po jepen mijëra euro dhurata, ndërkohë që gjithçka duhej të ishte e organizuar dhe brenda formatit të ligjit.

Si funksionon? Le ta marrim nga fillimi. Këto shorte që gjerësisht i hasim me termin ‘giveaway’, organizohen nga biznese ose persona të ndryshëm. Në thelb ka dhurimin e një produkti ose shërbimi për klientët. Në rastin më të zakonshëm, ata që duan të luajnë, duhet të ndjekin rrjetet sociale të kompanisë ose individit që e organizon, dhe të komentojnë duke etiketuar edhe miq të tyre në rrjetet sociale, që të regjistrohen në lojë. Në datën e caktuar nga organizatori, zakonisht fituesi zgjidhet me short të lirë – nëse ke respektuar të gjitha rregullat e lojës – ose duke zgjedhur personin, komenti i të cilit ka arritur më shumë ‘pëlqime’. Sipas renditjes, ose sipas shortit, bëhet edhe ndarja e dhuratës, ose nëse janë disa, ndahen për secilin fitues.

Baza ligjorePor, ajo që vihet re, është një boshllëk i madh nga ana ligjore. Kemi hasur shumë raste që në rrjetet sociale, jepen dhurata mijëra euroshe,  telefona, kompjuterë, madje edhe makina apo para cash (në dorë). Diçka e tillë, kur në mes janë mijëra euro, duhet të rregullohet me një ligj. Kurrsesi nuk mund të vijojë organizimi i shorteve të tillë, pa asnjë bazë ligjore.

“Ligji” aktual Në Shqipëri, ekziston një ligj i vitit 2015 për Lojërat e Fatit, që rregullon procedurat në këtë fushë, dhe një vendim i Kryeministrit Rama në vitin 2017, më konkretisht për Lojërat e Fatit Promocionale. Por, në kohën e hartimit dhe miratimit të këtyre ligjeve, fenomeni ‘giveaway’ nuk ishte futur akoma, ose ishte futur shumë pak. Ligji aktual është vetëm për lotaritë dhe lojërat e fatit që bëhen me pagesë, por ‘giveaway’ është diçka krejt tjetër. Ajo nuk është me pagesë për klientët dhe personat që dëshirojnë të marrin pjesë në lojë, dhe kështu nuk mund të jetë i njëjti ligj përfshirës. Edhe licenca për të organizuar lojërat e fatit është me shumë procedura, dhe kushton shumë para.

Si funksionon jashtë vendit tonë? Normalisht që çdo shtet ka ligjet dhe rregulloret e veta, por në parim të gjithë kanë ligje të veçanta edhe për këto lojëra. Rregulloret janë miratuar që të detyrojnë bizneset të veprojnë sipas rregullave, por edhe të mbrojnë klientët që luajnë, nga çdo padrejtësi. Kryesisht në të gjitha vendet e zhvilluara, duhet një licencë për të organizuar të tilla lojëra, e cila nuk ka burokracira. Organizimi i lojës mund të bëhet në një hapësirë sipas preferencave të biznesit që e organizon, por brenda kuadrit dhe afateve, duke u treguar me korrekt me personat që luajnë.

Organizimi në Shqipëri Bizneset në Shqipëri po e përdorin gjithmonë e më shumë këtë mjet teknologjik, për të rritur klientelën, dhe duke pasqyruar produket e shërbimet e tyre. Në parim, normalisht që është një mjet shumë i mirë për biznesin, por këtu po bëhen pa asnjë lloj procedure, madje edhe nga persona fizikë. Po jepen mijëra euro dhurata, gjë që mund të çojë edhe në evazion fiskal, nëse nuk është i rregulluar me ligj.

Hapësira ligjore që duhet rregulluar Një ‘treg’ kaq i madh sa është shndërruar ky i ‘giveaway’, nuk mund të vijojë më kështu, i parregulluar. Komisionet dhe Parlamenti duhet të hartojnë një bazë ligjore, që të rregullojë edhe këtë fenomen që po përdoret në masë nga rrjetet sociale. Por, as nuk duhet ta bëjë të ndërlikuar dhe të pamundur për bizneset, duke ia vështirësuar procedurat që duhet të deklarojnë në Tatime. ‘Gazeta Reforma’ do të vijojë ta trajtojë këtë temë edhe në ditët në vijim, për të ngritur një shqetësim që me përhapjen në masë të rrjeteve sociale, i prek pothuajse të gjithë ata që luajnë. /GazetaReforma.com/