“Pas çdo gjëje kërkojmë një komplot. Kjo është një situatë ku Gjermania, “lokomotiva” e Europës, në shumë drejtime, nuk të lë të ulesh në tavolinë në restorant jo më shumë se 3 persona të tjera, nuk të lë të shërbesh në restorant pas orës 10:00 të darkës. Pse? Është një lojë e Bill Gates për t’i vënë çipa çunave të Laçit apo djemve të Vlorës? Ju lutem të sillemi me përgjegjësi të madhe jo vetëm për shëndetin, por edhe për shoqërinë. Të mos bëhemi ne me duart tona ata që të mbyllim sërish dyert e shtëpive dhe lokaleve”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e dorëzimit nga SHBA të 60 respiratorëve të rinj që i shtohen spitaleve në luftën ndaj Covid-19.
Rama kërkoi të tërheqë vëmendjen e qytetarëve, por mbi të gjitha të drejtuesve të lokaleve dhe restoranteve që të zbatojnë protokolleve e vendosura, në mënyrë që të mos rikthehet sërish izolimi në vend.
“Lufta me armikun e padukshëm është tejet e vështirë në apsketin shëndetësor. Dua t’iu lutem të gjithë qytetarëve shqiptarë që të mos e bëjnë atë më të vështirë. Ju lutem atyre që nuk e besojnë se sa e vërtetë dhe sa e vështirë është kjo luftë dhe mbyten në lugët e ujit të teorive të konspiracionit apo të thashethemeve që janë thjesht fukarallëk duke e përqeshur rrezikun. Ju lutem të mos e vështirësojmë më tutje këtë luftë.
Ju lutem atyre që sot ushtrojnë aktivitetin e tyre nëpër restorante, nëpër bare që të mos e përqeshin rrezikun, të mos e sfidojnë shtetin, të mos e konsiderojnë tolerancën dhe mirëkuptimin tonë, si një dobësi dhe të mos vënë në rrezik jetën e tyre, por edhe të njerëzve që u shërbejnë. Janë protokolle të caktuara që duhen zbatuar. Nuk është e vështirë për ne që të sulim Policinë e Shtetit nëpër restorante e lokale për të vendosur rregull. Por, a është kjo ajo që duan ata që duan me çdo kusht që të shfrytëzojnë çdo metër të lokalit? Ata rrezikojnë të kontribuojnë në mbylljen e lokalit dhe të marrin mbrapsht një goditje marramendës financiare. Patjetër që çdo lekë më shumë është i rëndësishëm, por humbja nga kjo sjellja përqeshëse do të ishte katastrofike”, tha Rama.