Tirana International Airport (TIA) njofton pasagjerët dhe familjarët e tyre që udhëtojnë me kompaninë Wizz Air nga Tirana në Venezia, se fluturimi parashikohet të kryhet sonte në ora 20:50.

“Për arsye teknike, fluturimi i parë është anuluar dhe një avion tjetër i Wizz Air është në nisje nga Shkupi për në aeroportin e Tiranës, për t’i transportuar pasagjerët më tej, në Venezia”, bën të ditur TIA. Sipas TIA-s, aktualisht 129 pasagjerët janë në sallën e tranzitit, me trajtimin nga kompania ajrore sipas procedurave të vonesave në fluturim. Për çdo informacion, TIA sugjeron udhëtarët të kontaktojnë në numrin e telefonit +35542381800.