Nga Juxhin Mustafaraj/
Ish-numri dy i Partisë demokratike, Jozefina Topalli nis një angazhim të ri politik. Për ABC News, ish kryeparlamentarja demokrate rrëfen se do t’i bashkohet “Lëvizjes për ndryshim”, një projekt i ri politik të cilën do ta bëjë publik të mërkurën e 28 tetorit. “Unë nuk do rri të bëj sehir. Nuk kanë qëndruar as në vitin 97 kur kam rrezikuar jo një herë por disa herë të lija dhe fëmijët e mi jetim. Nuk do bëj sehir as sot.
Dhe as nuk impresionohem nga asnjë sjellje enveriste! Dëgjoj sulmet e një pale e pastaj të palës tjetër që për karriget e tyre merren vesh aq bukur dhe më kujtojnë vetëm fletërrufetë e kohës së vjetër. Unë të vërtetat e mia me parti pa parti do t’i them .E vërteta është Liria ime. Të mërkurën do i bashkohem një grupi që quhet “Lëvizja për Ndryshim”.
Pa zbuluar shumë nga projekti i ri në të cilin do të angazhohen, Topalli flet për formatin e lëvizjes në të cilin do të bëj pjesë. “Nuk është Parti. As ka lidhje me Parti. Ata shohin që vendi po boshatiset. E shohin si dramë dhe duan ta bëjnë kauzën e tyre. Unë do ti mbështes. Po të ketë iniciativa të tjera, lëvizje të tjera që synojnë të mirën e njerëzve e të vendit prapë do ti mbështes. Por ajo nuk është Parti. Por që të kesh fr ikë nga partitë në pluralizëm më çudit e më bën të mendoj”.
Topalli shprehet e bindur se nuk do të tradhtoj parimet e forcës ku u angazhua për më shumë se dy dekada, por nuk i kursen rezervat për sulme që sipas saj po bëhen nga selia blu ndaj partnerëve ndërkombëtarë. “Angazhimi im në çështje publike dhe politike është i gjatë. Për paradokset e historisë sonë, në fakt ka qenë e përcaktuar që para se të lindja.
Ndaj dhe kam thënë se unë kam qenë me Partinë Demokratike që para se të lindja. Kjo ka qenë e lidhur me historinë dhe fatin e familjes sime, të qytetit ku kam lindur e rritur dhe të vendit tim. Unë jam në bindje europianiste. Nuk sulmoj faqen e Facebook të SHBA apo të ambasadorëve të tjerë të perëndimit kur punët e karriges nuk shkojnë mirë, përmes rrogëtarëve të kunatit”. Të mërkurën Lëvizja për Ndryshim pritet të prezantojë projektin e saj politikë. Pjesë e këtij formacioni të ri pritet të jenë të rinj dhe pedagogë të paangazhuar në politikë.