Ditën e djeshme një fenomen i çuditshëm pranë Gjirit të Lalëzit, mori vëmendje të madhe, pas fotove të shumta të postuara në rrjetet sociale. Dukej si një tornado e fuqishme, që krijonte një pamje jo të zakontë për brigjet shqiptare.
Kontaktuar nga Dritare.net meteorologët e MeteoAlb, u shprehën se është një fenomen lokal, një formë e ngjashme me tornadot por jo e së njëjtës natyrë. Përgjithësisht, sipas MeteoAlb, krijohen dhe degradojnë shpejt. Megjithatë në disa raste mund të jenë të rrezikshme.
“Waterspout është një kolonë e dendur ajri që krijohet mbi sipërfaqet ujore. Formë e ngjashme me një tornado, por jo e së njëjtës natyrë. Ato krijohen shpejt dhe përgjithësisht degradojnë në 30-60 min. Rrallëherë ndodh që këto tornado ujore të lëvizin drejt tokës duke shkaktuar erë të fortë të menjëhershme dhe rrufe. Në detin Jon, ky fenomen është i njohur dhe shpesh krijohen 2,3 apo më shumë kolona pranë njëra-tjetrës, ndërsa më rrallë shfaqen në Adriatik. Nëse kolona ajrore i afrohet brigjeve, shikuesit duhet t’i shmangen. Ajo mund të jetë e rrezikshme sepse kolona e ajrit mund të ketë grimca akulli, kokrriza rëre apo objekte të vogla të forta, të cilat bëhen të rrezikshme kur era fuqizohet papritur. Ato duhen shmangur duke u zhvendosur me një kënd 90 gradë, nga drejtimi i lëvizjes së tyre!”.