Zlatan Ibrahimovic ka pasur një ndikim më të madh në futbollin italian sesa Cristiano Ronaldo, sipas ish-trajnerit të Milanit dhe Juventusit, Alberto Zaccheroni. 39-vjeçari ka dëshmuar vlera të patjetërsueshme ngta mosha qysh nga ribashkimi me kuqezinjtë në janar, duke shënuar 11 gola në 20 paraqitje, në gjysmën e dytë të sezonit 2019-2020. Ai ka qenë në të njëjtën formë mbresëlënëse edhe këtë sezon, pavarësisht se ka humbur pothuajse një muaj, pasi u prek nga Covid-19. Suedezi ka shënuar 4 gola në vetëm 2 ndeshje, me një dopietë kundër Interit, në derbin e fundjavës së kaluar.

Ronaldo, ndërkohë, ka qenë po aq i frytshëm, që kur u bashkua me Juven nga Real Madridi më 2018, duke shënuar 68 gola në 91 paraqitje, në të gjitha garat. Zaccheroni, megjithatë, nuk ka dyshim se cili lojtar ka pasur më shumë ndikim në Serie A.

“Unë kam qenë trajner i kampionëve të mëdhenj në karrierën time, nga Oliver Bierhoff te George Weah apo Adriano, por pengu i vetëm që kam është se nuk e kam trajnuar kurrë Ibrahimoviç”, – tha ai për “Il Giornale”. – Zlatan është i përjetshëm dhe ende nuk e kuptoj pse nuk e fitoi kurrë “Topin e Artë”. Në Itali, ai e ka zhvendosur ekuilibrin më shumë se Ronaldo. Nuk është rastësi që shumë lojtarë të rinj janë rritur në mënyrë eksponenciale nga ardhja e tij. Jo vetëm shënon, por transmeton besim te të gjithë shokët e tij të skuadrës, duke mbajtur ekipin mbi supe në momente të vështira”.

Milan aktualisht qëndron në krye të Serie A me një rekord prej 100 për qind të pikëve, edhe pse janë luajtur vetëm katër ndeshjet e para të kampionatit.