Përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkovic i ka dalë në krahë Xherdan Shaqirit, i cili po e kalon një periudhë të errët në Liverpool. Futbollisti kosovar u la për të satën herë në këtë fillim sezoni jashtë 18-shes së të ftuarve nga trajneri Jurgen Klopp, ndërsa në dy sezonet e fundit luajti shumë pak.
Spekulohet se futbollisti nga Zhegra e Gjilanit mund të largohet nga “Anfield Road” në fund të afatit kalimtar të verës. Dhe, Petkovic insiston se 28 vjeçari për momentin ka nevojë për ndihmë.
“Shaqiri është një djalosh si të tjerët në ekipin tonë. Kur të vijë tek ne, gjithçka do të zgjidhet. Afati kalimtar do të mbyllet të hënën në mbrëmje. Ai e ka një karakter të fortë dhe mund ta menaxhojë situatën. Xherdani ka nevojë për ndihmën tonë”, deklaroi trajneri i Zvicrës në konferencën e sotme për shtyp.