Anija eksploruese turke “Oruc Reis” do të jetë në Mesdheun Lindor nga data 12 deri më 20 tetor në zonën ku ndodhej në gusht dhe në shtator, njoftoi marina turke, gjë që mund të gjenerojë tensione të tjera me Greqinë.

“Oruc Reis” do të operojë aktivitete në rajo duke përfshirë këtu jugun e ishullit grek Kastellorizo, sipas mesazhit të dërguar nga sistemi detar i alarmit NAVTEX.

Athina dhe Ankaraja përjetuan një muaj tension të fortë pas vendosjes nga Turqia, nga 10 gushti deri në mes të shtatorit, të kësaj anije sizmike, të shoqëruar nga anije luftarake, për të kryer eksplorime në brigjet e këtij ishulli grek, dy kilometra nga brigjet turke, një zonë potencialisht e pasur me gaz natyror.

Greqia pretendon pushtet mbi ujërat përreth Kastellorizo, por Turqia kundërshton dominimin e saj, duke këmbëngulur se ajo ka të drejta më të gjera në Mesdheun lindor për shkak të vijës së saj më të gjatë bregdetare.

Ankaraja filloi duke vendosur ”Oruc Reis” dhe anije ushtarake në këto ujëra të diskutueshme në 10 gusht dhe zgjati misionin e tyre, duke injoruar thirrjet e përsëritura nga Bashkimi Europian dhe Athina për t’i dhënë fund.

Anija do t’i bashkohet gjatë misionit të ardhshëm sondazhit sizmik nga dy anijet e tjera të ashtuquajtura ‘Ataman” dhe “Cengiz Han”, sipas NAVTEX.