Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi dy ditë më parë se është i infektuar me koronavirus, duke krijuar një dramë të jashtëzakonshme mes fushatës zgjedhore në SHBA. Në listën e mëposhtme gjenden pesë fakte në lidhje me infeksionin e presidentit amerikan.
Ku gjendet Trump për momentin? Presidenti i SHBA-së do të qëndrojë ditëve të ardhshme në një spital ushtarak jashtë Washington DC, për t’ju nënshtruar trajtimit për koronavirus, por do të vazhdojë të merret me punët shtetërore. Lajmin e konfirmoi sekretarja e shtypit Kayleigh McEnany, e cila shtoi se Trump do të punojë nga zyrat presidenciale në spitalin Walter Reed. Menaxheri i fushatës së Presidentit, Bill Stepien, deklaroi se të gjitha ngjarjet e fushatës të njoftuara më parë do të mbaheshin virtualisht ose edhe do të shtyhen.
Cilat janë trajtimet që Trump iu është nështruar? Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Conley, deklaroi të premten se presidenti ishte i rraskapitur, por me humor të mirë, ndërkohë që po merrte një trajtim eksperimental kundër COVID-19. Ai iu nënshtrua një doze të vetme nga “kokteji i antitrupave” i krijuar nga Regeneron, sipas Conley. Ky trajtim është ende duke u testuar dhe nuk u aprovua ende nga rregullatorët. Si një burrë 74-vjeçar, Trump mund të përballet me rreziqe të mundshme, sipas agjencisë shëndetësore amerikane CDC.
Çfarë simptomash po zhvillon Trump? Të enjten, presidenti amerikan nuk u izolua menjëherë megjithëse ndihmësja e tij e ngushtë Hope Hicks pati rezultuar pozitive. Në vend të kësaj ai mori pjesë në një tubim për mbledhjen e fondeve në qytetin e New Jersey, ndërsa thuhej se kishte simptoma të lehta në eventin e së enjtes. Një burim për “The New York Times” i tha gazetës se ai pati zhvilluar simptoma të ngjashme me të ftohtin. Ndërkohë bazuar në deklaratat zyrtare raportohet se Trump kishte “simptoma të lehta”.
Si u infektua? Ende nuk dihet se si presidenti i SHBA-së e mori koronavirusin, mirëpo, në përgjithësi ai i ka “sfiduar” këshillat mjekësore. Rrallë herë është parë me maskë, e në të njëjtën kohë takohej me grupe të mëdha njerëzish. Alarmi në Shtëpinë e Bardhë vërshoi kur Hicks doli pozitive. Ajo është një figurë në rrethin e ngushtë të Trump si dhe udhëtoi me të disa herë gjatë javës së kaluar.
Kush është tjetër i infektuar në Shtëpinë e Bardhë? Trump njoftoi se gruaja e tij Melania, gjithashtu doli pozitive me koronavirus përmes një postimi në Twitter. Nënpresidenti Mike Pence, rezultoi negativ po ashtu edhe djali i presidentit, Barron Trump. Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza dhe dhëndri i presidentit të cilët janë njëherësh këshilltarët kryesorë të Shtëpisë së Bardhë, gjithashtu rezultuan negativë si dhe Sekretari i Shtetit Mike Pomepo; Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin përfshirë Sekretari i Shëndetit dhe i Shërbimeve Njerëzore, Alex Azar. Ronna Mc Daniel, kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, doli pozitive ditë më parë.
Ndërkohë, lidhur me këtë rast shumë politikanë të tjerë, zyrtarë dhe oficerë ushtarakë që punojnë ose vizitojnë Shtëpinë e Bardhë u testuan të premten. Shumë politikanë të tjerë të lartë, zyrtarë dhe oficerë ushtarakë që punojnë ose vizitojnë Shtëpinë e Bardhë po testohen.