Bota e futbollit u trondit dy ditë më parë pas lajmit që u dha nga federata portugeze e futbollit, e cila informoi se Cristiano Ronaldo është infektuar me Covid-19. Megjithatë, në njoftimin e tyre thuhej se Ronaldo është mirë dhe nuk ka asnjë simptomë. Infektimi bëri që 5 herë fituesi i Topit të Artë të mungonte në ndeshjen e mbrëmshme që Portugalia zhvilloi kundër Suedisë në Ligën e Kombeve. Por, ai ka shprehur mbështetjen e tij nga ekipit kombëtar duke publikuar në rrjetet sociale një foto nga hoteli ku është izoluar, teksa në televizor shihet ndeshja.
Është njësoj si të jesh atje! Shkojmë djema! Forca Portugali! Janë këto fjalët që ka shkruar 35-vjeçari i cili shihet i veshur me bluzën e Kombëtares dhe i buzëqeshur. Mirëpo, teksa ai shijon fitoren e Portugalisë që mposhti 3-0 kundërshtarin, situata duket e tensionuar në shtetin italian. Lajmi për infektimin e Ronaldos, në funksion të ndeshjeve të ardhshme të kampionatit dhe mbi të gjitha për debutimin në Champions League ka ngritur një kambanë alarmi në dhomat e zhveshjes së Andrea Pirlo dhe ka irrituar drejtuesit e Juventusit.
Ylli portugez duhet të respektojë protokollin dhe të presë që tamponët e ardhshëm të rezultojnë negativ. Sidoqoftë, në kthimin e tij në Torino, ai mund të gjente një klimë veçanërisht të tensionuar. Klubi i Andrea Agnelli, përveç shqetësimit për shëndetin e tij, ka frikë nga pasojat ligjore pas vendimit të CR7 për të mos dëgjuar këshillat e marra nga lart. Pasi dy persona në kontakt me ekipin u prekën nga Covid-19, presidenti i Juventusit në fakt u kishte kërkuar të gjithë lojtarëve të tij që të mos iu përgjigjen thirrjeve ndërkombëtare. Por, Ronaldo u largua për në Portugali për të luajtur ndeshjet e Ligës së Kombeve. Sakaq, edhe McKennie ka rezultuar pozitiv me Covid-19.