Usta i ka shpeshtuar dedikimet në shqip për gjysmën e tij më të mirë, Genta Ismajli. Pranë postimit të një fotografie të shkëputur nga fotosesioni i fundit ai i lë një dedikim të ëmbël asaj.

“Jeta është më e mirë me ty e dashur”, ka shkruar ndër të tjera Usta pranë fotos së postuar. Në një intervistë për “revistwho.com” pak kohë më parë, këngëtarja shqiptare ka rrëfyer gjithçka për lidhjen me djalin, me të cilin ka rënë në dashuri kokë e këmbë.

Genta ka treguar se ata janë ndeshur fare rastësisht bashkë dhe se më pas i ka ndihmuar “google translate” dhe nëna e këngëtares për t’u njohur më tepër.

“Ishim për një darkë me miq të përbashkët në një restorant në Kosovë. Aty u pamë dhe komunikuam për herë të parë… Duhet të jemi parë me njëri-tjetrin për 10-15 minuta, më pas ai nisi të bëjë një trëndafil me letër, me pecetë. U çua në këmbë dhe ma dhuroi në mes të një tavoline mbushur plot me miq të njohur dhe të panjohur dhe unë e pranova. Po atë natë Usta kishte ditëlindjen dhe në momentin kur erdhi torta më kërkoi të ulesha pranë tij, ‘dua të të jap një copë tortë’ ma bëri me shenja. Aty nisëm të bisedonim, më dha numrin e telefonit dhe filluam të komunikonim me mesazhe”, ka treguar këngëtarja shqiptare.