Të gjithë flasin për lista, por askush përveç Partisë Socialiste nuk e ka fjalën për listën e nevojave të qytetarëve dhe mundësinë për t’iu shërbyer atyre. Nga Asambleja Socialiste e Njësisë 8, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo është diferenca e madhe që ndan Partinë Socialiste të Shqipërisë me forcat e tjera politike në opozitë.

“Po të shikosh, sa herë që ndezim televizorin, edhe ne, edhe ata disa fjalë i kemi të përbashkëta: lista ata, lista ne. Pyetja është: Çfarë listash? Ne e filluam ditën me listën e shtëpive të reja për tërmetin, me listën e pagesave të dëmshpërblimeve për tërmetin, me listën e ndihmës ekonomike të atyre që kanë humbur punën gjatë pandemisë, me listën e personave me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për ndihmë shtesë, me listën e kredive të buta të atyre që do të marrin shtëpinë e re, me listën e investimeve të rrugëve që ne do të vazhdojmë nga “Frigoriferi”, deri tek Bregu i Lumit, me listën e shkollave të reja që do të bëjmë në këtë njësi, me listën e djemve dhe vajzave që dolën me 10-ta nga gjimnazi “Partizani”. Kjo është lista jonë. Lista e tyre ishte: Ku jam unë për deputet? Ku jam unë tek koalicioni? Ku jam unë tek elektorati?” “Ku jam unë…”, është lista e tyre, kurse për ne është, “ku është mundësia që t’iu shërbejmë njerëzve në çdo listë të nevojave të tyre”. Kjo është diferenca,” u shpreh Veliaj. Duke veçuar shembullin e një familjeje që ka përfituar nga Programi i Bashkisë për kreditë e buta, Veliaj tha se kjo dëshmon se si përmes këtyre politikave të mbështetjes sociale iu zgjidhet qytetarëve edhe një prej halleve më të mëdha, siç është blerja e një shtëpie.

“Adjola, – një zonjë e mrekullueshme, e divorcuar dhe që rrit 3 fëmijë, – ishte përfituese e kredisë së butë, – asaj që ndoshta disa njerëz thonë: “hë, se 1 mijë kredi të buta”, “hë, se 1 mijë shtëpi”, – po shtëpia është diçka për të cilën prindërit tanë, nënat tona kanë punuar gjithë jetën. Kredia e butë për Adjolën është një mundësi se si ajo në vend që të paguajë interesat në bankë, në vend që të paguajë qiranë çdo muaj, ajo blen 1 metër katrorë të një shtëpie që iu ka lënë fëmijëve dhe do ta ketë tërë jetën. Ne jemi partia e Adjolës, jo si qëllim në vetvete, por si mjet që me këtë pushtet të qeverisë dhe të bashkisë ne të bëjmë këto punë,” u shpreh Veliaj.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës tha se kjo forcë politike nuk i ndan njerëzit sipas bindjeve, por në bërthamë të saj qëndron fuqia që të jep bashkimi, puna dhe vullneti për t’iu shërbyer të gjithëve me të njëjtin pasion.
“Ajo që ne na ndan me ata nuk është të majtë, apo të djathtë, por është fakti që një forcë njihet si një forcë e punës dhe një forcë tjetër njihet si një forcë e dhunës, e shkatërrimit. Diferenca tjetër mes nesh dhe atyre nuk është e majtë e djathtë, por është fakti që ne mundohemi t’i bashkojmë njerëzit. Ne themi “edhe një”, ata thonë “minus një”. Diferenca mes nesh dhe atyre është që ne i bëjmë gjërat me dashuri, ne nuk kacavirremi nëpër kangjella të shkojmë të prishim takimet e tyre, sepse ne besojmë që fuqia jonë buron nga zemra, nuk buron nga muskuli, buron nga mendja, nuk buron nga grushtet, buron nga pasioni nuk buron nga inati,” deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.