Nga Irsa Ruçi/
Ka një shprehje interesante që thotë se “Gënjeshtrat janë kaq pjellore nga natyra, saqë vetëm njëra prej tyre mund të ngjizë njëqind të tjera.” Në terrenin politik, ky përkufizim gjen një habitat të përshtatshëm për tu shumuar në domethënie, sepse shenjon figurat politike në raportin mes vetes dhe publikut, mes dinjitetit dhe përlyerjes, mes fytyrës dhe pafytyrësisë. Mënyra si trajtohet e vërteta, bën ndarjen mes integritetit të politikanit dhe palaçollëkut të abu zu esit.
Nisur nga përkufizimi i mësipërm i lexuar rastësishëm, më lindi dilema, prej dëshirës për të peshuar në kandarin e fjalës ambientin tonë të trazuar nga tallazet e çorbës politike, që gatuhet nëpër mejhanet e zhurmueshme të korridoreve mediatike. Në dëshirën për të analizuar sa më tepër personazhe të dalë nga përrallat televizive në qasjen me terrenin, gjeta një përputhje të personalitetit publik të z. Basha me atë që quhet sindromi i gënjeshtrës.
Nëse e analizojmë z. Basha që nga pamja, nga mënyra e të folurit, të qëndruarit, gjestikulacioni dhe paraqitja, kuptohet shumë lehtë që diskursi i tij publik është i shtirur, jo real, i deformuar dhe fjala e vënë në gojën e tij, nuk përputhet me mendimin dhe as ndjesinë që e udhëheq. Ka një ndarje të madhe mes njeriut dhe maskës së tij publike, një diferencë të rrezikshme, që nëse i jepet pushtet, do transformohej në të kundërtën e imazhit të prezantuar nga ekrani dhe të kuruar me buzëqeshje. Që nga vështrimi dhe mënyra e qeshjes ndjehet qasja që z. Basha ka me publikun, (për të gjithë ata që janë studiues të komunikimit e dinë shumë mirë se ajo mimikë tregon që është kamufluar, për të pandërgjegjshmen rrëfen tallje dhe gjuha që e shoqëron gjestikulacionin është e kundërt me mendimin). Ka mospërputhje mes artikulimit dhe fakteve dhe etjes së fshehtë për të dalë vetvetja.
E keni parë qetësinë e z. Basha dhe reagimin identik në çdo situatë? Edhe kur lëvdohet, edhe kur kritikohet, edhe kur provokohet, nuk lëviz asnjë muskul në fytyrën e tij. Dhe kjo gjakftohtësi nuk është aftësi, është tipar dallues i njerëzve që nuk kanë emocion human, që janë të ftohtë ndaj çdo shqetësimi dhe vështirësie njerëzore, që ruajnë pandjeshmërinë e pamëshirshme për ta shkelur tjetrin nëse gjejnë hapësirë dhe kanë ndjenjën e hakmarrjes tiparin dallues. E keni parë sa brenda kornizave qëndron? Si ka frikë të jetë i lirshëm sepse e di që do i prishej teatri i fjalës që të tjerë i kanë ndërtuar dhe që në karakterin e tij nuk është ai i shfaqjes? Njeriu që ruhet deri në detaje, me fanatizëm dhe imtësi, fsheh të vërteta që nuk do donte t’i dëftoheshin në publik, fsheh veten e gënjeshtërt që e shfaq vetëm nëse ka pushtet. Gjë të cilën besoj se z. Basha e ka risjellë sa herë që ka pasur në dorë pushtetin, duke treguar paaftësinë për të menaxhuar autoritetin që i është dhënë.
Lideri i opozitës nuk është rishtar në ambientin politik; e as i kulluar në pastërtinë e figurës. Për të gjithë ata që të vetmin argument që kanë për ta votuar është “ta provojmë dhe këtë njëherë”, z. Basha është provuar për 10 vite rresht. Paçka se nuk mbahet mend të ketë kaluar asnjë provë të mëparshme, aq sa tashmë duket një alternativë e re në tregun politik. Por, lideri i opozitës ka që në 2005-ën në pushtet si ministër; e për gjashtë vite ka ndryshuar 3 ministri, deri në 2011-ën kur Tironsit i dhanë besimin më të madh, drejtimin e Kryeqytetit të vendit dhe pikën tonë të dobët fort të dashur. Si ministër, në studimin e imazhit publik, mbahen mend vetëm pamjet e tij teksa i mbante çadrën nëpër shi kryeministrit të kohës, që i kishte dhënë atë qoshe për ta kundruar në përsiatje të vazhdueshme me nxjerrë qimen nga qulli. Ndërsa në Bashkinë e Tiranës, kujtohet për investimin më të madh që ndërmori për katër vite, tortën e fashme të Pavarësisë; që kur e sjell tani në vëmendje ndjej keqardhje, sepse më duket një akt i turpshëm talljeje me “urinë” tonë, që jo vetëm atë ditë, por asnjëherë nuk është dashakeqëse; është thjesht dhembje prej së shkuarës.
Tashmë që z. Basha pretendon karrigen e kryeministrit, ka shfaqur hapur shenjat e sindromës së lartpërmendur. Në monologjet e përditshme unë nuk di nëse i verifikon të dhënat, fjalën, shifrat. Mendoj se i ngatërron ngaqë nuk janë të tijat, i bën lëmsh se nuk i kupton; i shqipton me zell, por e mposht dobësia; do të jetë i qartë, por ligjërata del çorap dhe pakuptim. Përpiqet të imitojë z. Rama, i cili mbahet për karizmën e tij dhe batutat, por te lideri opozitar ngjajnë fallco dhe të pakuptimta, nuk është gjuha e tij. Në përpjekjen për të mos shfaqur veten dhe për të imtuar një ligjërues të lindur publik, z. Basha po pëson një krizë identiteti, që po i bën shumë dëm politikisht. Nuk është as ai që është, as ai që do të jetë. Është thjesht një fotokopje e letrës që i kanë printuar dhe ja kanë vënë mbi tavolinë, që ka për detyrë ta recitojë në mënyrë korrekte. Por politika nuk është aritmetikë “Olimbi”, është frymëzim. Është vullneti i njerëzve për të të pranuar të vërtetë, jashtë kornizave dhe shtirshmërisë, me gabimet dhe mangësitë që ka çdo qenie njerëzore, por me emocionin për t’i parë njerëzit njerëzisht. Politika që duan njerëzit është fryma e shpresës, ngritja e besimit; jo akuzat, fyerjet dhe lufta nga krevati, në kurriz të vuajtjeve të tyre, duke i përdorur si kredi politike. Shqiptarët duan të ardhme, jo të shkuar; duan punë dhe vepra konkrete, jo baltë e mllefosje. Shqipëtarët e duan Shqipërinë të re, një lule që çel plot ngjyra, jo një lulzim të rremë, që nuk çeli dot as dimër, as pranverë.