Pas Baldushkut e Shën Gjergjit, edhe Zall Bastari është pjesë e hartës turistike të Tiranës, me një panoramë fantastike dhe vetëm 15 minuta larg qendrës së kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e vijoi turin e tij sot në Zall Bastar, ku tha se rruga e përfunduar i ka dhënë një hov të ri zhvillimi gjithë zonës, pas vitesh pothuajse e izoluar dhe me resurse natyrore të pashfrytëzuara. “Është fakt i jashtëzakonshëm se rruga sjell zhvillim. Sigurisht, asfalti nuk është gjithçka, por zemra e njerëzve, kreativiteti i tyre, puna, krahët e përveshura janë gjithçka. Ama, rruga ndihmon, është zhvillim dhe ta bën më të lehtë sjelljen e produktit në Tiranë apo tironsin të shpenzojë këtu, ose edhe një investim për bujtinë, agroturizëm etj. Jam shumë i lumtur që e kemi mbajtur premtimin në Zall Bastar dhe kur takojmë shokët tanë të djathtë apo të partive që kanë humbur rrugën, u themi se rruga jonë të çon në destinacion, fjalët i mbajmë dhe i kryejmë punët”, u shpreh kryebashkiaku.
Ai ka ftuar qytetarët e Tiranës që fundjavave të tyre t’i shtojnë edhe këtë zonë fantastike. “Tani Zall-Bastari është vetëm 15 minuta larg; është një pyll i madh me pisha e pemë, një zonë ndër më të bukurat. Tiranës i është hapur një mushkëri shumë afër qendrës. Kjo mund të quhet zyrtarisht fundjava e parë ku Zallbastari është hapur për të gjithë miletin, miqtë, turistët”, tha Veliaj, duke shtuar se, “siç vumë në hartë Shën Gjergjin, me festën e domates, me investimet dhe bujtinat e hapura aty, e siç edhe Baldushkun e vumë në hartë me tregun gjelit të detit, ka ardhur koha ta vëmë edhe Zall Bastarin në hartë, nga një xhep i humbur, në një xhevahir që pastrohet dhe del në dritë”.
Veliaj ndaloi edhe në një baxho të zonës, prej nga ku ftoi jo vetëm qytetarët që të vijnë dhe të provojnë produktet bio, por edhe investitorë të tjerë që të zgjerojnë aktivitetet e tyre edhe në Zall Bastar, pasi falë rrugës së re distanca tashmë është shkurtuar.