Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u bë e ditur se brenda periudhës korrik-shtator 2020, programi kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit u zbatua vetëm 35%.
Si pasojë e kësaj, zëvendësi i kryeministrit Avdullah Hoti, kërkoi nga ministrat angazhim më të madh në realizimin e këtij programi. Gjithashtu në mbledhjen e sotme, ekzekutivi ka miratuar nismën e negociatave për eliminimin e tatimit të dyfishtë me Malin e Zi.
Zëvendësministri Driton Selmanaj pasi informoi kabinetin qeveritar për zbatimin e planit kombëtar të MSA-së për periudhën raportuese korrik-shtator 2020, kërkoi nga ministrat një fokus më të madh në realizimin e këtij program.
“Gjetjet tregojnë se brenda tremujorit të tretë 2020 programi është zbatuar në nivel prej 35%, 21 nga 59 masa të planifikuara për këtë tremujor janë zbatuar plotësisht ndërsa 64% prej tyre ose 38 masa akoma nuk janë zbatuar plotësisht”, tha ai.
Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së është dokument ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha organet e administratës shtetërore për zbatimin e masave afatshkurtra nën përgjegjësitë e tyre.
Ndërsa lidhur me nismën për negocimin e marrëveshjes për eliminim të tatimit të dyfishtë dhe parandalim të evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, u bë e ditur se draft marrëveshja përmban 28 nene që janë kombinim i modelit të Kombeve të Bashkuara për tatim mbi të ardhurat dhe kapital.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua edhe koncept-dokumenti për përmirësimin dhe avancimin e legjislacionit në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se koncept-dokumenti bazohet në problemet të cilat nuk janë trajtuar me legjislacionin aktual në fuqi e që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin në punë.
“Ky koncept-dokument synon të përmirësojë e fuqizojë kornizën ligjore të sigurisë dhe shëndetit në punë me qëllim të krijimit të vendeve më të sigurta të punës, përgjegjësi më të qarta të punëdhënësit të cilat lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, rregullimi në ligj i trajtimit të sëmundjeve profesionale, do të thotë të ketë mbikëqyrje shëndetësore, kontrolle mjekësore”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar është informuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë edhe me zbatimin e Ligjit për Investime Strategjike.
Aty u tha se nga muaji shkurt i vitit 2018 deri në muajin nëntor 2020, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë pranuar 35 kërkesa për statusin e investitorit strategjik., prej tyre 21 aplikime janë në fushën e sektorit energjetik, 7 në fushën e turizmit, 1 në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit, 1 në sektorin e shëndetësisë dhe 5 në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit.
Gjithashtu sot, një prej vendimeve që miratoi Qeveria ishte vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për vazhdimin e mandatit të Komisionit qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë.
Me ndryshimet e aprovuara, në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vend të Artan Abrashit, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, emërohet Donika Kadaj Bujupi, ndërsa sipas propozimit të Shoqatës së Juristëve, përfaqësues nga Shoqatat e Juristëve emërohet Mazllum Baraliu.
U miratua edhe vendimi sipas të cilit Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet që Kuvendit, t’i procedojë kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e anëtarëve jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës./Kosova Press/