Ansu Fati s’ka pak që ka mbushur 18 vjeç, por po përgatitet që tani të hyjë në Olimpin e të mëdhenjve, të paktën për sa i takon rrogës. Ylli i Barcelona-s, i cili është ndalur nga një dëmtim në gju para pak ditësh, është gati të nënshkruajë një rinovim me shifra rekord. Siç kanë bërë të ditur mediat spanjolle, kontrata e Ansu Fati skadon në vitin 2022 dhe negociatat për rinovimin po vazhdojnë përpara pa probleme.

Qëllimi i katalanasve është që ta blindojnë talentin e tyre për dy vite të tjerë. Mënyra më e mirë për ta bërë është t’i ofrojnë një shifër marramendëse për një 18-vjeçar: 10 milionë euro në vit. Do të bëhej fjalë për një shifër të padëgjuar më parë për një djalosh të moshës së tij. Mjafton të mendohet se as yje si Lionel Messi ose Cristiano Ronaldo nuk kanë marrë kaq shumë para kur kanë qenë “të vegjël”.

Pleshti, gjithmonë te Barça, në moshën e Ansu Fati është paguar 1.2 milionë euro. CR7-ës i ka shkuar më mirë te Manchester United ku merrte 2.1 milionë euro. Një shifër absolutisht e pabesueshme, së cilës i afrohet vetëm italiani Donnarumma i Milan-it me rrogën e tij 6 milionë euro.