Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për tre ndeshjet e radhës të kuqezinjve. Një listë me një pikëpyetje shumë të madhe, pasi trajneri ka pranuar se nuk e di me saktësi se sa prej futbollistëve që ka grumbulluar do të vijnë në Shqipëri për këto ndeshje. Shumë klube kanë bërë të qartë se janë kundër grumbullimit të lojtarëve të tyre, ndërsa ka të tjerë që rrezikojnë karantinimin e gjatë nëse vijnë në vendin tonë, duke humbur më pas vendin në klubet përkatëse. Ndaj Reja duhet të përgatitet edhe për rastin ekstrem ku mund të humbasë shumë prej titullarëve e do të duhet që të gjejë zgjidhje alternative me listat e cunguara, sidomos duke llogaritur që do luhen tre ndeshje në më pak se një javë dhe udhëtimet drejt Shqipërisë do të jenë shumë të komplikuara. Trajneri sugjeroi pas konferencës së sotme për shtyp se alternativa e parë janë lojtarët e përfaqësueses U21. Por ndërkohë, stafi i tij ka gati një listë me kandidatët më potenicalë nga Kategoria Superiore.

Një zgjidhje emergjence, por që do të përdoret nëse Shqipëria do të përballet me një krizë të mirëfilltë mungesash, sidomos ato në prapavijë ku reparti i mbipopulluar tashmë sheh të ketë shumë pak alternativa në dispozicion për ndeshjet e këtij muaji. Ndaj përballjet e javës së dytë të Superiores do të jenë mundësia më e mirë e futbollistëve të kampionatit tonë që të tregojnë vlerat e tyre dhe të bindin trajnerin që t’u japë një mundësi, në rast emergjence e jo vetëm.