Nga Irsa Ruçi/
Së pari, le të bëjmë një sqarim, duke qenë se unë e kam të shenjtë kulturën gjuhësore e nuk dua ta përdhos me mendime të mbrapshta: “çelës kopil” është term i përdorur për një çelës i cili mund të hapë disa dyer; dhe zakonisht, në fjalorin e përditshëm, përdoret në kuptimin pozitiv, si zgjidhje, kapërcim i problemit, çelje e një perspektive të re. Por, kur qëllon të jetë i ndryshkur e të ngecë në bravë, kthehet në hall të madh që zgjidhet vetëm duke shkallmuar derën.
Në këtë perspektivë që parashtrova, z. Basha më duket fiks si ai çelësi kopil, që fati, rastësia apo dora e ngrohtë që ju zgjat në një kohë kur nuk kishte asnjë kontribut në CV-në e tij dhe ishte i pamësuar me punë, i dha mundësinë të hapte disa dyer në karrierë, madje të depërtonte deri në karrigen e kryetarit të opozitës. Nuk di nëse ja diti ndonjëherë vlerën, përderisa ngado vajti la veç shijen e hidhur të paaftësisë dhe pamundësinë për të dalë nga bataku i fillestarit, por e vërteta është që në atë “padukshmërinë” e vet, me buzëqeshjen indiferente ndaj pretendimeve për pushtet, bëri shumë zullume e mbrapshtësi, për të cilat jo vetëm që nuk ka kërkuar ndjesë, por sot i mohon dhe i sheh të parëndësishme t’i marrë në konsideratë. Kur një njeri ka pasur pushtet dhe me vetëdije të plotë ka ndjekur rrugën e abuzimit me të, ka dy mundësi: Ose të zhduket nga sytë këmbët dhe të mos kthejë kokën pas. Ose, nëse kthehet sërish, të japë llogari fillimisht për çfarë shkaktoi, të kërkojë ndjesë publike për gropën që krijoi e ranë brenda njerëz të pafajshëm dhe pastaj të presë që pendimi t’i japë një thërrime shpresë. Ndryshe, do jetë vendimi popullor që do ja përplasë derën në fytyrë, për t’i treguar vendin që meriton.
Çfarë po bën z. Basha qëkurse në Shqipëri, ashtu sikurse në gjithë botën ka rënë flama e pandemisë? Dini gjë të përmendni një kontribut konkret si një pretendent që supozohet ta dojë vendin, përderisa kërkon të jetë i pari i Shqipërisë? Unë nuk di ndonjë ndihmesë të tij, vetëm është kthyer sërish në pengesë. Është kthyer në shtrigën e Borëbardhës, që u jep kafshatën e hel matisur që i buron prej vetes, çdo shqiptari të ndershëm që do ta besojë. Konkretisht, z. Basha vetëm aku zon qeverinë për menaxhimin e situatës së pandemisë, ngjall terror dhe frikë tek njerëzit, hedh poshtë punën e ekipit mjekësor dhe vesh Shqipërinë me mjergullën e pakënaqësisë personale. Pamundësinë e vet për të luf tuar dhe fituar, do ta paraqesë si dështim të qeverisë. Sa më shumë i largohet fizikisht z. Basha pushtetit, aq më shumë dështon në mendjen e tij qeveria dhe Shqipëria. Sa më shumë ëndërron z. Basha, aq më fort refuzon të shohë realitetin.
Sot, lideri i opozitës, në pafuqinë për tu artikuluar siç duhet, ka vënë tellallin poshtë e lartë për të kërkuar “rrotacionin”. Por, nëse i bëjmë një analizë fjalës “rrotacion”, në gjysmën e parë të saj kemi një fjalë që në shqip mund të përmbajë disa përkufizime, qoftë në funksion primar, qoftë përdorur ironikisht. Por, gjithsesi, ja njohim të gjithë kontekstin. Nëse gjysmës tjetër i bëjmë një përkthim jo të fjalëpërfjalshëm, “cion” – përdoret ndër të tjera edhe për të simbolizuar një syth, dmth çelje, lulëzim. “Rrota – lulëzim”, apo lulëzimi i rrotës, apo ngjashmëri të tjera që mund t’ju vijnë ndër mend. Tani, në dilemën time naive: kur Lulit ja kanë të vetët me të futur, përderisa çirren për rrotacionin, vaj me det ç’është katandisur ai batak që kërkon të ngjallë shpresën, po kutërbon në mjerimin e një grushti njerëzish që sillen rreth qerthullit të vetmisë së tyre.
Mesazhi i fshehtë i koduar mes të djathtës, të cilëve u ra Luli për pjesë peshqesh, por nuk e honepsin dot, aq sa po i largohen një nga një: “Lëreni rrotën të lulëzojë”! Kemi një thenie të bukur ne: “Do ly’ rrota që të eci qerrja”. Pse budalla ishte “Cioni” të lodhej kot, me tërheq rrotën? Cioni rrotën do e marrë peshqesh vetëm kur të vijë rrotacioni; në çdo kohë tjetër, Cioni është në gjumë, duke pritur rrotën peshqesh! Se kush e kishte penguar xhanëm, e thamë më lart që ka pasur fatin të ishte çelësi kopil, hapte dyert lehtësisht, derisa ngeci në bravën e paaftësisë. Ai qyqari përtonte të bëntë edhe detyrën e opozitarin e të përfaqësonte zërin e elektoratit të vet në Parlament, ç’mund të presim më tepër prej tij. Njeriu nuk del dot nga vetja dhe karakteri, është e tepërt ta gjykojmë, por vetëm të mos e trazojmë. Nuk duhet ta ngacmojmë emocionalisht, le të rrijë në rehatin e tij derisa të lodhet e të marrë bishtin ndër shalë. Të harrohet nga pak, t’ja fshijë koha e pamëshirshme emrin, për ta larguar ashtu siç e solli: si një anonim. Si një çelës kopil që hapi shumë dyer, derisa ngeci në bravën e Shqupit.