Nga Alfred Peza/
Lulzim Bashën nuk ka kush të mbrojë këto ditë, kur ai ndodhet i kryqëzuar si kurrë më parë në jetën e tij politike, nga aku zat për rolin që ka patur gjatë punës në misionin faktmbledhës, për kr imet e ndodhur në Kosovë në vitet 1998-1999. Atë e kanë braktisur veç shumë e shumë të tjerëve, për të lënë të vetëm në fushë të hapur përballë zjarrit të akuzave që po i vijnë nga të gjitha anët, edhe LSI dhe kryetarja e saj Monika Kryemadhi, por edhe “rival-aleati” i tij kryesor opozitar, Presidenti i Republikës Ilir Meta. Çfarë po ndodh në kampin opozitar, në këtë moment mjaft delikat për jetën politike të “Opozitës së Bashkuar” vetëm 5 muaj përpara zgjedhjeve të reja të 25 prillit 2021 dhe për karrierën e njeriut që ata e kanë shpallur si kandidatin e tyre për Kryeministër?
Pse Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk ka mbajtur asnjë qëndrim të qartë, zëplotë, të prerë dhe të vendosur në mbrojtje të Kryetarit të Partisë Demokratike? Pse mediat pranë tyre, në vend të mbrojtjes, kanë filluar që të rreshtohen në anën e qëndrimeve të afishuara të mazhorancës socialiste që kërkon çdo ditë sqarime nga Lulzim Basha, në lidhje me pozicionin e tij për një nga momentet më delikate të historisë së Kosovës? Pse Ilir Meta që çdo ditë gjen kohë për të bërë dhjetra statuse në rrjetet sociale, deklarata në institucionin e Presidencës dhe në takimet nëpër Shqipëri, intervista në mediat e reja online dhe ato tradicionale, nuk ka dalë ende hapur në mbrojtje të Lulzim Bashës? A do të thotë kjo, se aleati më i madh i liderit të opozitës, është dakord me akuzat që po i bëhen? Apo dyshimet e hedhura sot ndaj Lulzim Bashën në lidhje me kasetën e masakrës së Krushës, me akuzat për rolin e tij në hetimet për transplantin e organeve në të ashtëquajturën “shtëpia e verdhë” dhe dosjet e zinxhirit komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të pambrojtshme?
Apo mos është bashkëfajësia e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike për votimin pro raportit të Dick Marty-t në Këshillin e Europës, ndërkohë që Partia Socialiste votoi kundër, ajo që ia pamundëson rolin e avokatit mbrojtës të Lulzim Bashës në këtë rast? A mos vallë, në netët e gjata të odave kosovare, miqtë e ngushtë të Ilir Metës mund të kenë thënë të vërteta që ende nuk njihen publikisht që e pengojnë Presidentin e Republikës që të dalë hapur në mbrojtje të Lulzim Bashës? Apo gjatë shëtitjeve nëpër male, lugina e burime dikush mund të ketë rrëfyer detaje që e bëjnë këtë rast edhe më të pambrojtshëm? Këto dhe shumë e shumë pyetje të tjera, sa vijnë e shtohen, sa më shumë kohë kalon nga shmangia e vetë Lulzim Bashës nga ballafaqimi publik me të vërtetën. E bashkë me to, edhe heshtja e vetë bashkëpunëtorëve më të afërt të tij si brenda PD, ashtu edhe brenda “Opozitës së Bashkuar”. E shoqëruar kjo edhe me heshtjen e zërave më të zëshëm opozitar të propogandës së saj mediatike, ajo bëhet edhe më e frikshme dhe enigmatike.
Përtej të gjitha këtyre pikëpyetjeve, pikëçuditëseve, leximesh të drejtpërdrejta apo atyre mes rreshtave, një gjë duket e sigurtë: Se me dashje apo pa dashje, e gjitha kjo që po ndodh me Lulzim Bashën i volit nga çdo pikëpamje edhe LSI, edhe Monika Kryemadhit, edhe Ilir Metës, edhe aleatëve të tyre të tjerë më minor opozitar. Sepse nga dështimi i Lulzim Bashës për tu përballur hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me të shkuarën e tij, nga kryqëzimi i tij publik, nga heshtja e tij akuzuese dhe nga gjithçka tjetër, përfitojnë më shumë politikisht dhe elektoralisht aleatët e tij më të afërt. Mbi të gjitha LSI dhe Monika Kryemadhi, por veçanërisht Ilir Meta.
Presidenti i Republikës, në ndryshim nga Lulzim Basha ka disa kohë që është munduar që të projektojë profilin e një politikani populist, nacionalist dhe sovranist. Në garën e shpallur mes tyre për primatin e lidershipit të opozitës shqiptare, kjo konjukturë favorizon sëtepërmi Ilir Metën në dëm të rivalit të tij direkt. Kjo mund të jetë edhe një nga arsyet se përse LSI dhe Ilir Meta, e kanë braktisur, duke e lënë të vetëm Lulzim Bashën përballë historisë së tij me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!