Nga Irsa Ruçi
E dini pse pakënaqësitë ndaj kryeministrit Rama artikulohen me zë të lartë; dhe kundrejt çdo lideri tjetër, edhe pse nuk kanë bërë asgjë për vendin dekada me radhë, sërish nuk ndihen?
Në këndvështrimin tim modest, vjen për dy arsye: Së pari, sepse Kryeministri ka treguar në çdo kohë se është njeriu i punës, e pritshmëritë e njerëzve ndaj tij janë të larta. Është lideri që nuk premton kot, nuk e ka fasadë përmbajtjen; por e vlerëson punën dhe përkushtimin dhe ka ambicien për të realizuar edhe mes vështirësive që vendi ynë i ka të theksuara, projektin e Shqipërisë së bukur që ka në mendje. Së dyti, sepse si asnjë drejtuar shteti para tij; e dyshoj shumë që të ketë pasardhës në linjën e tij; nuk ka vepruar asnjëherë për të fituar zgjedhjet e radhës, por për të rindërtuar një Shqipëri të denjë për brezat që do vijnë. Kjo është diferenca mes tij dhe çdo pretendenti tjetër për karrigen kryeministrore. Z. Rama e sheh atë karrige si përgjegjësinë për të mbetur në kujtesën e këtij vendi; të tjerët e duan për pazare politike. Sepse dhe diferenca si e kanë marrë kjo ka qenë: Z. Rama është ndoshta i vetmi lider shqiptar që nuk e fitoi dashurinë e njerëzve pasi u bë pjesë e politikës. Askush nuk e ndoqi për interes në fillimet e tij, kurrkush nuk e admiroi për një copë karrige dhe asnjë s’e sulmoi prej fuqisë së pushtetit shtetëror. Njerëzit e deshën, qëkurse ishte djalosh i ri i mirë artikuluar që frymëzonte me shqipen e pastër.
Reformat që kryeministri aktual ka ndërmarrë nuk janë të tilla që mbesin vetëm katër vite dhe sfumohen në harresën kolektive, por frytet do i vilen në të ardhmen. Sepse Shqipëria e ka këtë nevojë: vizionin të shihet përtej të sotmes. Jo shumë vite më parë, kishim një shtet që po shkërmoqej, pa formë, informalitet të plotë në çdo strukturë, një rrumpallë institucionale që vepronte me ligjin e xhunglës. Një vend pa emër, që në emër të lirisë dhe Europës flisnin çdo ditë, por sesi do shtrohej rruga për t’iu qasur standardit europian, ata e dinin; dhe z. Basha sot mund ta shpjegojë qasjen e partisë që drejton! Premtonin Europën, por sesi do u hapeshin dyert nga moçali që drejtonin, këtë nuk e kanë zënë ndonjëherë me gojë.
Janë të rrallë ata lider që kanë mbetur të gdhendur në memorien e këtij kombi, pas ’90. Në këndvështrimin tim janë z. Nano, z. Berisha dhe z. Rama ata që kanë krijuar themelet e Shqipërisë së sotme. Dy të parët e çuan deri në ezaurim pushtetin e tyre, derisa e ndjenë që nuk kishin asgjë për të dhënë. Z. Rama e ka ambicien për ta fituar edhe këtë mandat, sepse Shqipërinë i vetëm e pati vetëm 2 vite. Mandatin e parë ishte luftë për thelën, që vinte nga partitë e vogla, që tentuan të silleshin siç kanë bërë për njëzet vite. Dy vitet e fundit, si asnjë lideri tjetër në histori nuk i ka rënë mbi supe, të menaxhojë tragjedi natyrore njëra pas tjetrës: dy tërmete që na shkundën në thelbin tonë dhe një pandemi; në çdo rast duke u kujdesur për një popull, që emocionalisht shfaqim brishtësinë për jetën, sepse ndjejmë merakun për veten e familjet tona.
Ndaj sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për pozitivitet, për fjalën e ngrohtë dhe dorën mbi supe; jo për fyerje, sharje dhe luftë për pushtet. Ja pse z. Basha është kartë e djegur, sepse nuk arrin të përjetojë gjendjen e trazuar që situata na ka veshur, por për karrigen personale, arrin deri aty sa të dëshpërojë njerëzit deri në palcë. Mirë që ka gafat të cilat e bëjnë thjesht qesharak e na dhurojnë humor, sepse nëse do merrej seriozisht, ka një ligësi aq të madhe dhe mllef të tillë brenda vetes, i gatshëm të shkelë çdo ndjesi njerëzore për pushtetin me të cilin është mësuar 10 vite (po qyl ama).