E dini pse unë nuk e përfytyroj dot ta shikoj z. Basha si Kryeministër dhe jam gati të bind çdo shqiptar një nga një me argumente konkrete pse lideri i opozitës është kërcënimi më i madh sot për Shqipërinë? Sepse, larg qoftë nëse i lihet pushtet në dorë, si për 10 vite ka pasur dhe ka abuzuar me postet që i janë besuar qyl, do ishte i gatshëm që këtë buzëqeshjen e shtirur dhe qetësinë e sotme ta kthente në vrer dhe hipokrizi, siç ka abuzuar deri më sot. Njerëzit më inferiorë janë ata që nëse i jep fuqi janë gati të shkelin me këmbë këdo, vetëm për të lartësuar veten. Është e lehtë të vësh gishtin në plagë, por z. Basha po dëshmon që përveç akuzave ndaj kryeministrit aktual, nuk ka asnjë zgjidhje, asnjë propozim, asnjë alternativë konkrete, që të meritojë ndryshimin. Ndryshimi duhet të fitohet, jo të lypet. Duhet punë konkrete, jo fjalë pa vlerë poshtë e përpjetë dhe përgojim për kundërshtarin politik.
Unë kam studiuar komunikimin e merrem me të, dhe gjuha e tij e komunikimit është një shtirje që shfaq rrezik. E keni vënë re si rri brenda kornizave dhe nuk guxon të jetë vetja? Sepse veten e vërtetë do e shfaqë vetëm pasi të ketë pushtet; dhe kjo është sjellje e një diktatori! Ka frikë të jetë i vërtetë, sepse e di që maskën që i kanë vënë me qëllimin për të shfaqur pozitivitet gjashtë muaj para zgjedhjeve, nuk e ka fytyrën e vërtetë, atë që do tregojë pas gjashtë muajsh, sido që të jetë rezultati.
Sot, në takimin me të rinjtë sapo tha: “Njerëzit marrin kredi për të blerë ilaçe.” Por, z. Basha nuk ka qenë ndonjëherë në kushtet që i është dashur të marrë kredi, sepse nëse konstaton një “fakt”, patjetër që duhet të kesh së pari ndjeshmërinë njerëzore dhe të mos e thuash sa për statistikë. Së paku, të propozosh edhe një zgjidhje, se ndryshe, për çfarë e the e për çfarë ta tha personi në fjalë hallin? Të dëgjosh dëshmi të tilla e të vazhdosh duke bërë lloqe, pa dhënë së pari vizionin me të cilin do qeverisje, është dashakeqësi dhe shpërdorim i besimit të njerëzve. Si kandidat për Kryeministër, si do ja zgjidhte hallin z. Basha, nëse do merrte pushtetin? Do i frynte? Do shkonte tek Mona fallxhorja dhe do hidhnin fall bashkë? Do merrte bishtin e fshesës me të cilën fluturon nëpër takimet elektorale dhe do bënte magji që “hallet e njerëzve të zgjidhen të gjitha”.
Apo do bënte për katër vite rresht “shejtan budallain”, në mënyrë që njerëzit të merren me gafat e tij dhe të mos e kuptojnë se thelbi i komunikimit që ka me ta është bosh dhe pa perspektivë. Nuk ka asgjë për të mbajtur mend, ndaj dëshiron të viktimizohet përmes gafave; dhe të lërë mëshirën tek publiku, si “e keqja më e vogël”. Nuk keni qenë një e keqe e vogël z. Basha, por një e keqe e konsumuar me kohë dhe që rikthimi pas do ishte katastrofë për këtë vend. Postin qyl vetëm ju e keni marrë z. Basha, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi e fitojnë me djersë gjithçka. Nuk bëhen të gjithë Ministra që me punën e parë në jetën e tyre, vetëm juve ju ra shansi të jeni lideri pa karrige dhe pa këllqe në PD.
Por, nuk duhet t’i shohim kaq batutë budallallëqet që thotë, sepse goja nxjerr çka mendja. Vetëm në rastet kur flet goja para mendjes. Por, z. Basha nuk e do Shqipërinë, do vetëm rehatinë e vet. Sepse z. Basha do kthejë sërish Monën, bashkë me të kusinë dhe pazaret e ndyra politike. Dhe Shqipërinë do e qeverisnin: Basha me fshesën e vet magjike dhe Mona me fallin. Ne do ja u shihnim hairin, siç ua pamë 8-të vite.