Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga Drejtori i Kadastrës Artan Lame, ishin sot në fshatin Çërragë të Belshit, ku shpërndanë 67 certifikata pronësie për tokat. Balla iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë afatin e vendosur, për t’i hapur rrugë më tej vazhdimit të procedurave, ndërsa sqaroi pse ky proces u vonua 30 vite dhe njerëzit kishin humbur shpresën.
“Në vitin 2005 e mbani mend që Berisha erdhi në pushtet me kartën e legalizimeve. 8 vite në pushtet Saliu, Luli dhe 4 vite me Ilir Metën, legalizoi vetëm 21 344 leje legalizimi. Për 8 vite i bie diku te 2500 leje në vit për të gjithë Shqipërinë. Në total në 7 vite tonat ne kemi bërë 220 mijë leje legalizimi për 7 vite, 10 herë më shumë sesa legalizoi Luli, Saliu, Iliri e Monika. Në mandatin tonë të tretë do të jetë përfundimi i këtij procesi dhe një fazë e re e shqiptarit me pronën.
Pse duhet gjithë ky proces? Ajo që e ka dëmtuar ekonominë tonë në 30 vite është fakti se, nëse nuk ke një dokument për pronën, prona nuk vlen. Një pronë të padokumentuar s’mund ta japësh me qira, ta shesësh madje as mund ta trashëgosh. Ndaj ky proces është kaq i rëndësishëm. Ndaj u desh Edi Rama në krye të qeverisë për ta përmbyllur këtë proces. Shumë pak kohë na duhet për ta përfunduar tërësisht, njësoj siç po bëjmë këtu sot në fshatin Çërragë. Ndaj dhe shqiptarët do të dinë të vlerësojnë drejt dhe s’mundet në asnjë rast t’i japin drejtimin Ilir Metës. Ne jemi seriozë për atë që marrim përsipër dhe e mbajmë fjalën.”, tha Balla.
DOKUMENTET QE DUHEN PER TU PAJISUR ME AMTP
Të gjithë ata qytetarë që nuk janë pajisur me AMTP kanë 7 ditë kohë të shkojnë të aplikonë pranë bashkive. Aplikimi mund të bëhet gjithashtu online në portalin e-Albania; tek zyrat e ADISA-s dhe pranë noterit. Dokumentet e nevojshme: certifikatë familjare e vitit 01.08.1991; certifikatë familjare e vitit 01.10.1992; fotokopje e kartës së identitetit; vërtetim nga Këshilli i Qarkut për pronën dhe vërtetim i tatim taksave. Të gjitha këto vërtetime ju i gjeni lehtësisht në e-Albania.