Kreu PD Lulzim Basha i ftuar në emisionin Real Story dha këtë përgjigje kur u pyet për rrolin e tij si i punësuar në UNMIK dhe çfarë njohje kishte me antropologun Jose Bablo Bayrabar i cili drejtonte zyrën e UNMIK për të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë. “Detyra ime e fundit ishte të përgatisja tranzicionin e pushtetit nga autoritetet e OKB tek autoritetet e Kosovës dhe themelimi i ministrisë së Drejtësisë së Kosovës”, tha Basha. Faktet dhe dokumentet e kohës kur hetohej për të zhdukurit në Kosovë, tregojnë se Basha ka marrë pjesë në strukturat e UNMIK për këtë çështje.

Një dokument i asaj kohe, që disponohet nga Top Channel, del emri i Bashës si këshilltar në grupin e stafit te antropologut peruan Jose Bablo Bayrabar. Peruani Bayrabar është i njohur për zellin e tij në gjetjen e të ashtuquajturave krime të UCK në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Debati për punën e tij, Burrel me shtëpinë e verdhë dhe në Kukës, u hap edhe 10 vite më parë. Në atë kohë doli emri i Lulzim Bashës, i cili ishte ministër në qeverinë Berisha. Basha dha këtë deklaratë.

“Unë asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në Shtëpi të Verdhë siç pretendohet, aq më pak të kem përkthyer për zotërinë në fjalë. Mbaj mend që zotëria është marrë në punë për të ndihmuar në procesin e identifikimit dhe ekzaminimit të eshtrave të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë”, tha Basha. Por peruani Jose Bablo Bayrabar rrëzoi si të pavërtetë këtë deklaratë të Bashës. Ish ministri i Berishës la të kuptohej se nuk e njihte nga afër dhe s’kishte bashkëpunuar me peruanin, por Jose Bablo Bayrabar në një intervistë për Top Channel tregonte në fakt se ishte Lulzim Basha ai që e kishte shoqëruar në udhëtimin e tij të paautorizuar në Shqipëri për të gjetur prova se UCK kishte kampe të burgosurish në Kukës.

Ja çfarë thoshte peruani në 2010-ën: “UÇK kishte baza edhe në Shqipëri e më saktë në Kukës në 2003 kur qesh atje për herë të parë arrita që të shikoja një prej këtyre kampeve. Kam intervistuar edhe njerëz që ishin dërguar atje. Ai ka qenë me mua gjatë vizitës të pranverës së vitit 2003 në Kukës. Ai punonte me UNMIK-un kur unë kam qenë atje. Në vitin 2002 ka qenë atje dhe në 2003 erdhi me mua dhe dikë tjetër në Shqipëri erdhi me ne në atë ndalesë në zonën e Kukësit, kjo është e vërteta”, tha Bayrabar. Dosjet e krijuara nga UNMIK, Dick Marty dhe peruani Jose Bablo Bayrabar, kanë shërbyer si baza kryesore për ak uzën e rëndë që është ngritur ndaj liderëve të UÇK në gjykatën e Hagës.