Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24”, deklaroi se kurba e të infektuarve me Covidd-19 vazhdon të njohë rritje.

Beqja theksoi se Greqia nxitoi me mbylljen e kufirit, pasi Shqipëria ka laboratorë të mirë që certifikon nëse dikush është apo jo i infektuar me koronavirus.

“Besoj se nuk e kemi arritur kurbën maksimale. Kurba vazhdon të rritet. Autoritetet greke kanë mbyllur një pikë kufitare dhe besoj se ata do jenë nxituar, sepse ne jemi në gjendje që të kemi kontroll me laboratorët tanë nëse dikush është i prekur me Covid apo jo.

Është gjynah që kalohet në këtë masë ekstreme, por na bën të jemi më të vetëdijshëm për kontrolle. Duhet të kemi teste të shpejta. Tashmë kemi edhe rimbursim të barnave. Qytetarët duhet të respektojnë më shumë distancën sociale dhe të vënë maskë, po ashtu nuk lejohen grumbullime më shumë se 10 njerëz. Nëse një qytetar është pozitiv, duhet të karantinohet. Por situata në Shqipëri mbetet e përballueshme”, tha Beqja.

Ilir Beqja nënvizoi se situata gjithsesi mund të përballohet, duke thënë se buxheti i shëndetësisë është rritur me 23 për qind.

“Ne kemi shtretër bosh në spitalet Covid që kemi ngritur. Kemi spitale bosh për Covid rajonale dhe uroj që situata të mos shkojë aq rëndë. Qeveria duhet të ketë një skenar për të përballuar gjendjen. Situata mund të përballohet.

Buxheti i shëndetësisë po rritet 23 për qind. Kemi bërë pagesën paradhënie për vaksinën. Nuk ka munguar asnjë shërbim për mungesë fondesh”, tha Beqja.