Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi u shpreh se projektbuxheti 2021 për bujqësinë adreson mbështetjen më të madhe financiare ndër vite për fermerët, agrobiznesin, peshkimin e sigurinë ushqimore. “Sot në Kuvend kemi sjellë një nga buxhetet më të mira ndër vite për sektorin e bujqësisë. Një buxhet që adreson shumë prej nevojave të fermerëve tanë, të agropërpunuesve e konsumatorëve shqiptarë dhe që pritet t’i japë sektorit një tjetër dinamikë”, – tha Çuçi, gjatë diskutimit në Kuvend të projektbuxhetit për vitin 2021.
“Buxheti për bujqësinë parashikon një fond prej 12.8 miliardë lekësh dhe krahasuar me vitin 2020 kemi një rritje prej 20% ose 2 miliardë lekë më tepër. Pjesa më e rëndësishme dhe e reja për këtë vit është fondi 1 miliard lekë, përmes së cilit ne realizojmë edhe subvencionimin e naftës pa taksa për fermerët. Përmbushim në këtë mënyrë një zotim tonin si forcë politike, si dhe ndihmojmë rreth 70 mijë fermerë në të gjithë vendin për të ulur koston e prodhimit”, – tha ministri. Çuçi theksoi se, përjashtimi nga barra fiskale i naftës së përdorur për punime bujqësore është një hap i guximshëm, por i domosdoshëm për t’i dhënë sektorit bujqësor një tjetër mbështetje në mënyrë që të rrisim prodhimin, të rrisim mekanizimin e aktivitetit bujqësor, konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore dhe të formalizojmë më tej sektorin. Nafta pa taksa për fermerët është një ndër objektivat strategjikë të buxhetit të vitit 2021, të cilin ne do ta realizojmë përmes fondit që kemi në dispozicion dhe me një skemë funksionale.
Duke u ndalur në sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, ministri theksoi se, gjatë këtij viti janë akredituar 49 teste të reja analizash nga 53 të tilla që ka pasur ISUV deri në vitin 2019. Sipas tij, ky është një tregues tjetër pozitiv për sa i përket përpjekjes tonë të përbashkët për forcimin e sigurisë ushqimore në vend. Çuçi nënvizoi se, “buxheti për këtë program ka një rritje prej 42%. Kryefjala e tij është reforma e Shërbimit Veterinar, një shërbim tejet i rëndësishëm për shëndetin dhe mirëqënien e kafshëve, si dhe sigurinë e konsumatorëve. Rreth 430 veterinerë të rinj në të gjithë vendin do të bëhen pjesë e këtij shërbimi, që do të shtrihet në të gjitha njësitë administrative të vendit. Me buxhetin e vitit 2021 parashikojmë të zgjerojmë ISUV me 2 sektorë të rëndësishëm për të rritur sigurinë ushqimore në vend. Po kështu do të rikonstruktojmë edhe godinën e e këtij institicioni”.
“Përsa i përket Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me buxhetin e ri do të investohet për blerjen e pajisjeve laboratorike, pajisjeve për trupat e inspektimit si dhe rikonstruksionin e ndërtesës të Drejtorisë të Përgjithshme të AKU, e dëmtuar pas tërmetit. Po kështu do të vijojë procesi i ristrukturimit i nisur pas miratimit të ndryshimeve ligjore”, – tha ai. Lidhur me infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, ministri vuri në dukje se, “ajo që kemi bërë me infrastrukturën e ujitje-kullimit në këto 7 vite është e jashtëzakonshme dhe impakti për fermerët është i prekshëm. Vetëm në vitin 2020, qeveria shqiptare ka financuar 3.5 miliardë lekë në infrastrukturën ujitjes dhe kullimit duke e trefishuar buxhetin në krahasim me financimin e 7 viteve më parë”.
“Në vitin 2013 sipërfaqja e tokës bujqësore të ujitshme ishte 120 mijë ha. Në vitin 2020 falë investimeve tona kjo sipëfaqe ka arritur në 255 mijë ha. Pa këto investime të domosdoshme në infrastrukturë nuk do të kishim rritje të prodhimit bujqësor e rrjedhimisht as të eksporteve. Ndërsa buxheti i vitit 2021 për këtë program shkon në 3,7 miliardë lekë dhe synojmë të realizojmë disa ndërhyrje në vepra ujitëse dhe argjinatura për mbrojtjen nga përmbytjet në zonat problematike. Po kështu gjatë vitit 2021 do të vazhdojmë financimin e objekteve vaditëse të bashkive duke i përmbyllur investimet e nisura në vitin 2020”, – tha ai. Lidhur me zhvillimin rural, minsitri theksoi se, “kur flasim për skemat e mbështetjes direkte për fermerët, ne e kemi rritur fondin nga viti në vit dhe s’ka të krahasuar me fondin që është dhënë 8 vite më parë.”
“Qeveritë e mëparshme në 8 vite, nga 2005-2012 kanë financuar për fermerët vetëm 6 miliardë lekë në mbështetje direkte. Ndërsa në periudhën 2013-2020 ne kemi dyfishuar grantet direkte për fermerët, duke financuar 13 miliardë lekë vetëm për pagesa direkte. Në total kanë përfituar rreth 22 mijë fermerë. Falë investimeve tona në infrastrukturë, rritjes së buxhetit për skemat mbështetëse dhe lehtësive të tjera fiskale si përjashtimi imputeve dhe makinerive bujqësore nga TVSH-ja, bilanci tregtar në sektorin bujqësor ka arritur në shifrën më të ulët historike. Në vitin 2019 ishte 1:3.1 raporti eksport-import në favor të eksporteve krahasuar me vitin 2013 që ishte 1:6. Vetëm në vitin 2019 janë eksportuar në sasi 334.7% më shumë fruta dhe perime nga Shqipëria, në krahasim me 7 vite më parë. Eksportet janë 3.4-fishuar. Rritja e eksporteve vazhdoi edhe përgjatë vitit 2020 pavarësisht pandemisë. Në nëntë mujorin e këtij viti kemi rritje 18% në sasi dhe 17% në vlerë”, – deklaroi ai.
Çuçi tha se, për programin e Zhvillimi Rural, ku përfshihen edhe skemat mbështetëse të fermerëve me subvencione ka një rritje të buxhetit me 29% krahasuar me vitin 2020 dhe shkon në 5,2 miliardë lekë bashkë me fondin për naftën e përjashtuar nga barra fiskale. Buxheti i Skemës Kombëtare të vitit 2021 që mbështet me subvencione sektorë prioritarë si blegtoria, prodhimi në sera, bletaria apo çertifikimi i standardeve të prodhimit, ka një rritje me thuajse 58% ose një vlerë 1.8 miliardë lekë përfshi edhe skemën e naftës pa taksa. Gjithashtu, vijoi ministri Çuçi gjatë fjalës së tij, përsa i përket programit IPARD II Shqipëria është një histori suksesi krahasuar me vendet e rajonit në përthithjen e fondeve, duke tejkaluar edhe pritshmëritë e strukturave drejtuese në Bruksel.
“Në kohë rekord nisëm implementimin e këtij programi përgjatë vitit 2019, duke disbursuar vetëm në thirrjen e parë rreth 20 milionë euro. Vijon lidhja e kontratave për thirrjen e dytë. Programi IPARD II do të vijojë edhe gjatë vitit 2021”, – tha ai. Duke u ndalur në sektorin e peshkimit ministri bëri të ditur se, “mbështetja që i kemi dhënë sektorit të peshkimit, që nga nafta pa akcizë dhe heqja e TVSH-së për blerjen e materialeve të peshkimit apo lehtësi të tjera, kanë dhënë rezultate të jashtëzakonshme. Vetëm gjatë vitit 2019 eksporti në sektorin e peshkimit kapi vlerën e 100 milionë eurove. Trendi rritës vijoi edhe gjatë vitit 2020 pavarësisht pandemisë”.
Ministri tha se, “Buxheti 2021 për peshkimin shënon rritjen më të madhe krahasuar me programet e tjerë me plot 201%. Me këtë buxhet do të hapim kantieret për rindërtimin e 3 porteve të peshkimit në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin me financim nga kredia italiane prej 25 milionë euro. Do të vijojë gjithashtu mbështetja për ngritjen e infrastrukturës së markatove të peshkimit, ku është planifikuar përfundimi i ndërtimit dhe funksionimit të markatos së peshkut në Vlorë”. “Buxheti i vitit 2021 tregon qartë mbështetjen e qeverisë për këtë sektor, mbështetje që e ka treguar përgjatë gjithë këtyre 7 viteve si asnjë qeveri tjetër më parë”, – tha ai.