Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot se buxheti i vitit 2021 ka në fokus mbështetjen e sektorit të shëndetësisë, për t’i bërë ballë situatës së krijuar prej COVID-19. “Ky është një buxhet i veçantë, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet për shkak të pandemisë. Kryefjala e tij është mbështetja për sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtja e jetës së njerëzve. Përveç krijimit të infrastrukturës së duhur për të përballuar efektet e pandemisë e parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, siguron edhe mbështetjen e atyre që janë në krye të fontit duke rritur pagat e tyre me 40%”, deklaroi Gjylameti gjatë një interviste në media.
Gjylameti theksoi se ky është buxheti i duhur për të përballuar të gjitha ato problematika që vijnë nga 2 tërmetet që goditën vendin tonë gjatë 2019-s apo edhe situata e krijuar prej COVID-19. Gjylameti theksoi se përmes këtij buxheti u arrit të siguroheshin fondet për rimbursimin e paketës bazë të mjekimit për të gjithë ata qytetarë që do të preken nga COVID-19 dhe që do të kurohen në shtëpi. Po ashtu, theksoi ajo, buxheti siguron edhe dyfishimin e ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë.
Njëkohësisht, vijoi Gjylameti, buxheti i jep mbështetje edhe sektorit të arsimit, ku gjatë vitit që vjen pagat e mësuesve në të gjithë vendin do të rriten me 15%. Buxheti 2021 vijon me akordimin e fondeve për rindërtimin pas tërmetit në një shumë prej 28 miliardë lekësh, ashtu sikurse mbështet turizmin dhe bujqësinë.
“Janë pikërisht procesi i rindërtimit dhe investimet publike që llogariten rreth 7.2% e PBB-së që do të bëjnë të mundur të kemi rritje të të ardhurave dhe si pasojë minimizimin e efekteve nga pandemia”, u shpreh Gjylameti.
Ndërkohë e pyetur lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, që do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Gjylameti tha se Shqipëria është në rrugën e duhur për plotësimin e të gjitha kushteve të përcaktuara që do të hapin rrugën kështu mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare për integrimin në BE. Gjylameti u shpreh se sot kemi institucionet e reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë funksionale e janë duke u marrë me pjesën teknike dhe nxjerrjen e akteve nënligjore. Po ashtu, theksoi Gjylameti, po vijon edhe Reforma në Drejtësi, që është një ndër reformat më të rëndësishme që ka zbatuar ndonjëherë Shqipëria.
Sipas Gjylametit edhe ngërçet që kishin të bënin me opozitën tashmë janë zgjidhur. “Nuk besoj se do të ketë bllokim të dytë sa i përket Shqipërisë, pasi të gjitha kushtet e vendosura o janë plotësuar, ose janë drejt rrugës për t’u plotësuar”, deklaroi deputetja socialiste.
Lidhur me debatin e ditëve të fundit për “Shtëpinë e verdhë“, Gjylameti tha se duhet të shkohet drejt ngritjes së komisionit hetimor për të sqaruar një herë e mirë këtë çështje, e cila herë pas here ka dalë në pah dhe rëndon një akuzë shumë e rëndë mbi krerët e UÇK. “Në këtë rast duhet theksuar ajo që ka ndodhur para shumë vitesh në Asamblenë e Këshillit të Europës, ku përfaqësuesi i PS-së votoi kundra rezolutës, e cila akuzonte pikërisht atë që ishte kryer në “Shtëpinë e verdhë”, tha Gjylameti. Kemi detyrimin si Parlament, tha ajo, që nëpërmjet një rezolute të arrijmë të japim mesazhin përkatës për çfarë ka ndodhur në territorin shqiptar.