Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se, karburanti për bujqësinë nuk do të ketë më asnjë ngarkesë fiskale. Duke folur në Kuvend ku po diskutohet në parim projektligji “Për Buxhetin 2021”, Rama tha se, “Ky buxhet ka brenda edhe një fakt tjetër, që karburanti për bujqësinë nuk do të ketë më asnjë ngarkesë fiskale dhe të gjithë ngarkesën fiskale që sot ka karburanti dhe që del nga xhepi i fermerëve, faktikisht do ta kthejmë në karburant, jo në rimbursim. Do t’i japim karburant për të plotësuar të gjithë atë nevojë ç’ka do të bëjë që çmimi për ta do të bjerë. Kjo është dhe një çështje strukturimi dhe skemë financiare që të fitojnë njerëzit dhe që të mos fitojë korrupsioni, siç fitoi në kohën tuaj”.
“Tjetra që është fakt në këtë buxhet të 2021-it dhe që është shumë e rëndësishme, është që përtej rritjes së pagave për bluzat e bardha, ky buxhet përbën dhe angazhimin më të madh financiar të një shoqërie në 30 vjet, për shëndetësinë, për sistemin shëndetësor”, tha Rama. “Se flitet e flitet për shëndetësinë. Më vjen mirë që kush shan shëndetësinë hyn tek kategoria e atyre që nuk kanë pasur nevojë të shkojnë ndonjëherë në spital dhe mos paçin kurrë nevojë të shkojnë në spital për ta parë vetë se shëndetësia nuk është më ajo që ishte dhe ajo që mund t’ju ketë mbetur në mendje kur kanë shkuar nëpër spitale, kur s’kishte çarçaf, kur s’kishte batanije, kur s’kishte aspirina, kur s’kishte banjo”, theksoi Rama.