Gjatë ditës së sotme, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar edhe një takim me Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin. Diskutimet gjatë takimit u fokusuan në çështje që kërkojnë angazhim të përbashkët, të lidhura me mbështetjen e faktorit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Në një postim në facebook lidhur me këtë takim, Cakaj shprehu mirënjohjen për punën e bërë deri më tani dhe gjithashtu mbështetjen e tij të plotë për koalicionin e shumicës shqiptare në Bujanoc. “Pas koalicionit të Luginës së Bashkuar, puna e këtij koalicioni është e një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës”, theksoi Cakaj.
Bashkëbiseduesit ndanë, gjithashtu, të njëjtin shqetësim lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në të gjithë Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë. “Pavarësisht sfidave, ne do të punojmë bashkërisht e pakursyer për ngritjen e faktorit shqiptar në Luginën e Preshevës”, shprehu angazhimin e tij Cakaj në përfundim të postimit.