Tradita amerikane e uljes së çmimeve për produkte të ndryshme duket se ka ardhur edhe në Shqipëri. E premtja e Zezë (Black Friday), aplikohet pas ditës së Falenderimeve në SHBA dhe ka të bëjë me blerjet me çmim më të ulët se zakonisht. Origjina e saj daton në Filadelfia (SHBA), ku është përdorur për të përshkruar trafikun e rënduar, të këmbësorëve dhe automjeteve, Ditën pas Falënderimeve, duke qenë se shquhej si një ditë e mirë për të bërë blerje. Më pas ajo u bë një ditë uljesh dhe konsumatorët dyndeshin për të blerë sa më shumë.
Në këtë ditë dyqanet hapen që në orët e para të mëngjesit dhe mbahen të hapura deri në orët e vonë të mbrëmjes. Zakonisht kjo ditë është më e ngarkuara përsa i përket blerjeve. Dyqanet ofrojnë çmime speciale, që i bëjnë njerëzit të vrapojnë për të blerë. Ka dy teori përsa i përket emrit “Black Friday”. Teoria e parë thotë se termi Black Friday është përdorur fillimisht për të përshkruar këmbësorët e shumtë dhe trafikun e madh të automjeteve që ndodh në këtë ditë.
Ndërsa teoria e dytë pretendon se emri vjen nga llogaritë e bizneseve, pasi humbjet janë regjistruar me ngjyrë të kuqe, ndërsa fitimet me të zezë. Kjo sepse bizneset kanë fitime të larta në këtë ditë. Kjo ditë ka sjellë edhe viktima, për shkak të turmës së madhe që vrapon për të blerë. Para disa vitesh një grua ka përdorur spraj djegës ndaj turmës, vetëm për të blerë një bluzë me 60% ulje. Ndërkohë që në Shqipëri ka nisur që të aplikohet kjo traditë amerikane, por jo aq vrullshëm sa në Amerikë. Uljet në vendin tonë zakonisht janë 15-20-30 deri në 50%. Akoma bizneset shqiptare nuk e gjejnë veten të përgatitura për të bërë uljet reale të kuptimit të kësaj dite që në Amerikë variojnë nga 50% deri në 70-80% që janë ulje goxha të mëdha dhe konsumatorët janë më të predispozuar për të blerë.