Qeveria sllovene njoftoi sot pezullimin e transportit publik dhe ndalimin e pothuajse të gjitha tubimeve për dy javë, sepse masat aktuale të kufizimit nuk kanë arritur ta frenojnë sa duhet epideminë e COVID-19. “Të gjitha tubimet do të ndalohen nga e premtja dhe për të paktën dy javë, përveç atyre familjare ose të anëtarëve të shtëpisë”, tha ministri i Brendshëm, Ales Hojs.
“Shumica e përjashtimeve që lejojnë kalimet kufitare nuk do të zbatohen më dhe transporti publik do të pezullohet nga e shtuna në mëngjes”, shtoi ai. Qeveria ka vendosur, gjithashtu, të mbyllë të gjitha qendrat tregtare dhe bizneset jothelbësore nga e hëna, ndërsa shkollat dhe universitetet do të vazhdojnë online për të paktën dy javët e ardhshme.