Gjashtë mësues ndodhen aktualisht në spital, duke u trajtuar për koronavirusin. Kështu është shprehur ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi. Ndërsa që nga fillimi i pandemisë shtatë të tjerë kanë humbur betejën me Covid. Kushi deklaroi se nuk ka aktualisht asnjë shkollë apo kopsht në vend i cili të jetë mbyllur për shkak të numrit të infektimeve. Ministrja sqaroi se në rastet kur konfirmohet mësuesi me Covid, ai vetkarantinohet dhe zëvendësohet me një mësues tjetër deri në negativizimin e tij. “Ndodh që të mbyllet ndonjë shkollë apo kopsht për shkak të dezinfektimit, 1 apo dy ditë, por nuk kemi në asnjë rast që shkolla apo kopshte të jenë mbyllur për këtë shkak”, tha Evis Kushi për ABC.
Lidhur me kritikat për testimet e pakta, ministrja Kushi u shpreh: “Është folur shpesh, dhe opozita kërkon testime masive. Edhe vetë kreu i OBSH tha se situata epidemike në vend është nën kontroll. Testimet masive nuk janë zgjidhje, e rëndësishme është që gjurmueshmëria të funksionojë. Edhe Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar që testet janë katër fishuar”. Mbi vendimin për të mbyllur universitetet që mësimi të vazhdojë “on-line”, ajo tha , “ne e dimë shumë mirë që Komiteti i Ekspertëve ka të gjithë mundësitë për të vlerësuar situatën, dhe pas konsultimeve, analizave, informacionit dhe eksperiencave, arritën në këtë konkluzion, kështu që këtë gjë nuk mund ta them unë. Konviktet mund të jenë shkaktarë për përhapjen e sëmundjes”. “Për ne është e rëndësishme që të minimizohet kontakti. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta, dhe më vjen mirë që janë marrë të gjithë masat”.
Ministrja shtoi se askush nuk po fsheh infektimet në shkolla. – “Nuk ka asnjë udhëzim dhe nuk ka asnjë urdhër, që të censurohet informacioni, në lidhje me infektimin në shkolla. Në rrugë zyrtare ne na informojnë çdo ditë, për çdo problematikë në çdo shkollë. Është një sistem që funksionon më së miri”. “Nuk është detyra e mësuesve që të informojë çdokënd në lidhje me infektimet në shkolla”, – tha ajo. E pyetur sesi merren vendimet dhe si bëhen mbledhjet e kabinetit qeveritar, pasi siç dihet tre ministra kanë rezultuar me Covid-19, Kushi tha se “mbledhjet e qeverisë bëhen prej kohësh online, ndërsa me kryeministrin jemi takuar në aktivitete që kemi”.
Për sa i përket skenarëve të ndryshëm, ato do të aplikohen në varësi të situatës epidemike,” – shtoi ministrja. – “Ne i kemi përgatitur të gjithë skenarët. Kemi tre skenarë për mënyrën se si do zhvillojmë mësimin. I pari është ky që jemi tani, ndërsa i dyti është kryerja e mësimit të alternuar duke u zhvilluar online dhe në shkolla, ndërsa skenari i tretë është zhvillimi i mësimit online”.
Po ashtu, Kushi u shpreh se ashtu siç çdo ditë ka mësues të infektuar, ka edhe të shëruar. “Ne çdo ditë kemi mësues të infektuar por kemi dhe të shëruar. Disa janë me simptoma të lehta, disa janë të vetkarantinuar. Situata është dinamike dhe nuk kemi një shifër të saktë. Ne menjëherë bëjmë zëvendësimin e tyre. Për momentin, 6 mësues të shtruar në spital për shkak të infektimit me Covid,” tha ndër të tjera ministrja. Deri më tani, mësuesit që e kanë humbur betejën me koronavirusin, janë shtatë. 27 korrik- Gazion Rusi 39 vjeç, mësuesi i Medresesë, Shkodër 17 shtator- Nardi Xhemollari, 47 vjeç, mësues në Pogradec 28 tetor- Irena Bajlozi, 61 vjeç, mësuese në Përrenjas 10- nëntor- Gramoz Abedinaj, 60 vjeç, mësues në Roskovec 11 nëntor -Fatmir Sula, shkolla “Bishqem” në Peqin 11 nëntor- një mësuese në Elbasan, e shtruar prej 2 javësh tek Sanatoriumi 12 nëntor- Xhevit Dermyshi, 66 vjeç, mësues matematike në Gramsh.