Gjykata e Tiranës ka regjistruar partinë e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, “Lëvizja për Ndryshim”.
Teksa prezantonte partinë e saj, pak javë më parë, Topalli shprehej se kjo ishte një nismë e të rinjve, që ajo nuk mund ta linte kurrsesi pa e mbështetur, për të pasur një Shqipëri të të gjithëve, dhe jo të disa liderve politikë, sipas saj.
“Nuk duhet të ketë një Shqipëri të Ramës, të Metës apo të Lulit, kurrë nuk e kam humbur shpresën në këto vite të fundit, kam qenë e trishtuar. Ky vend ka nevojë për drejtësi sociale, një lider që jep llogari para qytetarëve që punojnë për interesin publik, duhet një qeveri që del nga votat dhe një opozitë që nuk korruptohet për interesat e udhëheqësit.
Dua të bëhem avokatja e interesave tuaja, prandaj bëhuni autor të fatit tuaj, mos kini frikë, jeta juaj është një ndërmarrje madhe, jeta është një spektakël i pabesueshëm, ditën e sotme do ta kujtoni gjatë.
Frikë duhet të kenë ato që vjedhin, që mbajnë peng vendin e partitë, bashkë kemi përvojën, vullnetin dhe dijen, nuk kam para e as vende për t’iu premtuar vetëm sfidë, nuk kam pushtet, por vullnetin që ky vend mund të bëhet. Prandaj ju ftoj eja me ne, të sjellim ndryshimin dhe rrezen e shpresës”, shprehej Topalli.