Rindërtimi i shkollës e re 9-vjeçare “Fshat Rinia” në njësinë administrative të Katundit të Ri, Durrës po shkon drejt përfundimit për të mirëpritur pas pak ditësh 247 nxënës si dhe 25 fëmijë në kopshtin e ri të ndërtuar, që është pjesë e kësaj shkolle. Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako e cila thekson se procesi i rindërtimit të institucioneve arsimore vazhdon me ritme të shpejta.
“Po kryhen punimet e fundit në shkollën e re 9-vjeçare “Fshat Rinia” në njësinë administrative të Katundit të Ri. Kjo shkollë është ndërtuar e re me fondin e Bashkisë së Durrësit dhe do të mirëpresë pas pak ditësh 247 nxënës si dhe 25 fëmijë që do të shkojnë në kopshtin, i ndërtuar i ri, që është pjesë e kësaj shkolle”, shprehet Sako. Ajo shton se, “krahas 31 shkollave që Durrësi përfiton nga procesi i rindërtimit, bashkia e qytetit ka vijuar me ndërtimin e shkollave të tjera të reja që janë parashikuar në buxhetin e Bashkisë”.
Sako thekson se arsimi ka qenë prioritet i bashkisë së Durrësit dhe mbështetja për këtë sektor do të vijojë edhe në vitin e ardhshëm. “Shkolla e re 9-vjeçare “Fshat Rinia” ka 17 klasa, 3 laboratorë, 1 bibliotekë, 1 dhomë psikologu etj. Kjo shkollë si edhe kopshti me të njëjtin emër janë ndërtuar me standarde të larta sigurie dhe nxënësit dhe fëmijët do të kenë ambiente bashkëkohore”, tha ajo.