Besart Kadia, i cili mbante detyrën e sekretarit për Sipërmarrjen e Lirë dhe është anëtar i Këshillit Kombëtar në PD, u emërua dje zëvendës ministër i Ekonomisë dhe Financave. Ai e ka pranuar postin, ndërsa ky emërim ka rënë si bombë për PD-në. Për këtë arsye, gjatë mbrëmjes, Partia Demokratike ka shpërndarë një shkresë, në të cilën thotë se Kadia është përjashtuar nga PD një vit më parë. Sipas PD, Kadia ka krijuar një lëvizje politike me emrin “Alternativa”, e cila është financuar nga burime të dyshimta financiare të klientëve preferencialë të qeverisë.
Por, portali pranë PD-së, CAN.al, shkruan se dokumenti i PD-së është fals, pasi nuk është zhvilluar asnjë mbledhje as në vitin 2019 dhe as në 2020-ën për shkarkimin e Kadias si sekretar për Sipërmarrjen e Lirë. Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi që e ka firmosur atë dokument kanë falsifikuar aktet e Kryesisë, pasi Kryesia e PD nuk është mbledhur asnjëherë për këtë çështje.
Me sa duket, për të frenuar zërat se Basha ka marrëveshje të fshehtë me Ramën për të bashkëqeverisur, gjë që mund të dëmtojë PD-në në prag të zgjedhjeve, kreu i PD ka nxituar të falsifikojë dokumentin në fjalë.