Enea Sheqi është një tjetër shembull domethënës nga 602 studentë që fituan me meritë vendin e punës në administratën publike, falë angazhimit të qeverisë shqiptare, për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm që ngushtojnë hendekun midis fakultetit dhe tregut të punës për të rinjtë, si platforma për punësimin e ekselentëve “Punë të Mbarë”. Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje shembullin e Eneas, i cili aplikoi në platformë pas studimeve për Shkenca Juridike dhe fitoi pozicionin si inspektor në Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku shërben me devotshmëri dhe integritet.
“Paralelisht, përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës (http: //praktika .arsimi .gov .al/?page_id=36 ) ku mund të aplikojë çdo student pavarësisht mesatares së studimeve, në vitin 2019, plot 951 studentë kryen praktikat 3-mujore të punës në administratën shtetërore dhe shoqëritë private”, tha Rama. Ai theksoi se prej tyre, 223 studentët me performancën më të mirë gjatë praktikës, fituan kontrata pune njëvjeçare. Në vitin 2020, janë plot 662 studentë që përfituan nga Programi Kombëtar i Praktikave dhe 200 prej tyre me performancën më të mirë, fituan me meritë e aftësi, kontrata 1 vjeçare pune, eksperiencë kjo e shtuar për ata që duan ta vijojnë rrugëtimin profesional përmes konkurrimeve në departamentin e administratës publike.
Vetë Enea u shpreh se “platforma e punësimit për studentët ekselentë në administratën shtetërore është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë, pasi mundëson punësimin e tyre menjëherë nga bankat e shkollës, pa pasur nevojë për një eksperiencë”. “Studentët ekselentë mund të quhen fytyra e re e inspektorëve. Ne të rinjtë jemi garancia për një administratë publike me integritet dhe europiane”, tha ai.