Shumë njerëz të njohur nga fusha të ndryshme i janë bashkuar PS-së, konkretisht takimeve që zhvillon kryebashkiaku Erion Veliaj në njësi të ndryshme. Një prej tyre ka qenë edhe Erkand Qerimaj, kampioni ynë i peshëngritjes, sqaron arsyet e daljes publike krah Veliajt. Qerimaj thotë së gjërat që kanë ndryshuar ai i prek çdo ditë, duke nisur nga kushtet dhe trajtimi shumë herë më dinjitoz që marrin ai dhe sportistët e tjerë elitar e deri te kopshti ku çon djalin e tij. Sa i takon paragjykimeve që shpesh qarkullojnë në rrjet për personazhet e njohur që i bashkohen politikës, Erkandi thotë se kjo s’ka pse të jetë tabu. Madje, shton ai, njerëzit e punës duhen mbështetur për të bërë akoma më shumë për të gjithë ne. Erkand si ka ndikuar pandemia në jetën si sportist por edhe në përditshmërinë tuaj?
Erkand Qerimaj: Nga ana sportive ka ndryshuar çdo gjë, sidomos pas anulimit të lojërave olimpike, për të cilat ne ishim përgatitur. Prej pandemisë ne nuk kemi marrë pjesë më në asnjë aktivitet as kombëtar dhe as ndërkombëtar. Vetëm stërvitjet nuk i kemi ndalur çdo ditë.
Ku po stërviteni aktualisht? Erkand Qerimaj: Ne po stërvitemi te Qendra Olimpike, e cila është me kushte optimale. Si janë kushtet e sportistëve elitarë sot? Erkand Qerimaj: Janë përmirësuar ndjeshëm, duke nisur nga palestra dhe mbështetja që marrim nga klubi sportiv Tirana sa i takon trajtimit për sportistët elitarë. Ka një vëmendje më të shtuar nga ana e Bashkisë dhe e vetë kryetarit Erion Veliaj. Kur folëm bashkë në telefon më thatë që ishit me djalin duke luajtur jashtë, ndërkohë shumë prindër të tjerë ankohen se s’kanë ku t’i çojnë fëmijët e tyre… Erkand Qerimaj: Ne fatmirësisht, te “Ali Demi” kemi fushë si për të luajtur ashtu edhe hapësira çlodhëse ku mund të nxjerrësh fëmijët. Unë e thashë edhe në një takimin që zhvilloi kryetari Veliaj se si prind jam i kënaqur sidomos me kushtet që kanë çerdhet dhe kopshtet publike të Tiranës për fëmijët, duke nisur nga kujdesi shëndetësor, ushqimi, aktivitetet etj.
Mendoni se qyteti ka mjaftueshëm terrene sportive? Erkand Qerimaj: Përmirësimi në këtë aspekt është i dukshëm, edhe pse një qytet si Tirana me rreth 1 milionë banorë ka nevojë të vazhdueshme për përmirësime dhe investime në këtë aspekt. Përse iu bashkuat Veliajt dhe si e shihni këtë pjesën e paragjykimit deri diku të personazheve të njohur që kanë dalë krah tij? Erkand Qerimaj: I rithem sërish ato që kam thënë në takim sa i takon kryebashkiakut Veliaj, në suportin që ai i ka bërë sportit ku ndryshimet që ne kemi si në stërvitje si në trajtim janë të prekshme, gjë që unë e haspërditë. Janë gjëra që duhen thënë dhe duhet falënderuar. Kur kemi njerëz që punojnë mirë si kryebashkiaku Veliaj, pse të mos e themi, se kjo ka ngelur pak si tabu. Unë mendoj se njerëzit që punojnë, duhen mbështetur dhe t’u jepet mundësia që të vijojnë të bëjnë gjëra të mira.
Plus si prind, e thashë më sipër, unë jam i kënaqur me shërbimin që kam marrë si në çerdhe dhe tani në kopsht. Jo vetëm si sportistë, por si banorë të këtij qyteti ne duhet të japim mbështetjen, por edhe mendimin tonë kur ndryshimet janë pozitive.
Do ta mbështesje kryebashkiakun Veliaj për të qenë kryeministër në një të ardhme? Erkand Qerimaj: Besoj është herët për të folur për këtë gjë, por Veliaj ka bërë ndryshime që nuk i ka bërë asnjë në Tiranë. Ai po tregon se është një njeri i punës dhe kur qytetari merr sa më shumë shërbime, do të thotë që taksat e tij mirëmenaxhohen. Erkand, personalisht a të tërheq politika, do ta provoje të ishe pjesë e saj? Erkand Qerimaj: Momentalisht jam i fokusuar te stërvitja dhe sporti, por nuk e kam fobi politikën. Një ditë pse jo, mund ta shoh si alternativë, pse jo. Nuk e përjashtoj si mundësi.
Peshëngritja ka patur gjithmonë yjet e saj në Shqipëri, po sot a ka shumë të rinj që duan të merren me këtë sport? Erkand Qerimaj: Aktualisht, jo vetëm sporti i peshëngritjes, por dhe sportet e tjera individuale nuk është se janë në atë kulmin e tyre sa i takon prurjeve të reja. Dua që shumë më shumë të rinj të merren dhe të përfshihen me sport. Të gjithë ndoshta nuk do të bëhen kampionë, por sporti të edukon me disa vlera të tjera dhe besoj kjo i shërben shumë një të riu sot. Për djalin tënd do dëshiroje që ai të merrej me peshëngritje? Erkand Qerimaj: Në fakt do doja që ai të merret me një sport tjetër, por le të zgjedhë vet (qesh). Është një fëmijë që më tepër i pëlqen të luajë jashtë, sesa të rrijë në smartphone./dritare.net