Analisti, poeti dhe shkrimtari i njohur, Preç Zogaj ka bërë të ditur ditën e sotme se ai bashkë me gruan e tij, pas tri javësh ‘betejë’ me koronavirusin, ka arritur të marrë përgjigjen negative të tamponëve.Zogaj në një mesazh në Facebook thekson se pas këtij lajmi, tashmë fëmijët e tij kanë mundur të marrin frymë lehtësisht. Ndërkohë që shton se COVID-19 i ka marrë jetën njerëzve shumë të shtrenjtë të familjes së tij. Zogaj në mesazhin e tij falënderon edhe mjekun pneumolog, Arjan Mezini, i cili i ka asistuar gjatë gjithë procesit të kurimit të COVID-19.
Mesazhi i plotë i Preç Zogajt: Pas tri javesh në ” regjimin” e Covid-19, me në fund unë dhe ime shoqe morën përgjigjen se tamponat tanë dolën negativë. Shumë njerëz të prekur kanë dhënë dëshmitë e tyre për vuajtjet fizike dhe psikologjike që shkakton ky virus i rrezikshëm. Nuk kam ndonjë gjë të veçantë për tu shtuar, veç ti rikonformoj ato dëshmi dhe të nënvizoj ankthin e një beteje të zgjatur në kufinjtë fluidë të përkeqësimit dhe përmirësimit, kur në ditët e sulmit, pasi ka hyrë si kalë troje në organzimin tonë, virusi shfaq karakteristikën që tashmë ia njohim të gjithë: dinakërinë.
Kemi një falenderim të madh për mjeket dhe infermierët që asistuan shërimin tonë. Në veçanti për mjekun, Arjan Mezini, pneumolog në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Doktor Arjani është pjesë e një komuniteti mjekësh e infermierësh, që po luftojnë prej muajsh, si heronjë të vërtetë, në vijën e parë të betejës kundër armikut më të madh të shëndetit të njerëzve në këtë kohë, që shpresojmë të mos jetë epokë.
Për të mund të them: patëm fat që ishim pacientët e tij. Fëmijët tanë morën frymë të lehtësuar sot. Por buzeqeshjet e tyre dhe tonat janë dënuar të mos i bëjë shoqëri këtij lehtësimi. Sepse gjatë ditëve të pengmarrës sonë nga Covidi kemi humbur dy njerëz shumë të shtrenjtë, Gjinin dhe Gjergjin, vëllezërit e gruas sime, shokët e mi të mirë, dy njerëz të thjeshtë, që jetuan gjithë jetën në shenjën e Ndershmërisë ektreme, të cilën nuk e menduan asnjë ditë jashtë mode, por ua trashëguan si pasurinë më të madhe fëmijëve të tyre, Majlindës, Merit, Artës, Florit, Tonit. Pushofshi në paqe Giin dhe Gjergj. Zemrat tona do të jenë gjithmonë Memoriali juaj!.