Forumi i 6-të vjetor për Zhvillimin e Medias, i cili shërben si një platformë dialogu profesional rreth çështjeve të medias mes institucioneve shtetërore, medias dhe shoqërisë civile, përfundoi ditën e sotme në Tiranë. Kjo veprimtari e përvitshme u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Diskutimet gjatë forumit u përqendruan në një gamë të gjerë çështjesh. Mes tyre mund të përmendim mjedisi dhe kushtet e punës të gazetarëve shqiptarë; pasojat e epidemisë së koronavirusit mbi median shqiptare; liria e medias dhe fjala e lirë në vend; legjislacioni i hartuar nga qeveria për rregullimin e medias online; rritja profesionale e gazetarëve shqiptarë; si dhe praktikat më të mira për përmirësimin e komunikimit mes institucioneve shtetërore dhe gazetarëve për të siguruar një qarkullim më cilësor të informacionit dhe për të parandaluar lajmet e rreme.

“Jemi këtu për të ofruar mbështetjen tonë teknike nëpërmjet zbatimit të projekteve tematike që synojnë të përmirësojnë nivelin e profesionalizmit të raportimit, ta bëjnë më transparente pronësinë e medias, të mbështesin median në procesin e vetërregullimit, të rrisin ndërgjegjësimin për sigurinë e grave gazetare, të përmirësojnë punën dhe profesionalizmin e transmetuesit publik”, tha ambasadori Vincenzo Del Monaco, kryetar i Prezencës së OSBE-së, në hapje të Forumit.

Forumi u përshëndet edhe nga ambasadori Luigi Soreca, kryetari i Delegacionit të Bashkimit Europian (BE) në Shqipëri; Jutta Gützkow, kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë; si dhe Jürgen Heissel, drejtori i Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.

Një ceremoni e veçantë u mbajt gjatë Forumit për të shënuar përfundimin e një programi stazhi tremujor pranë transmetuesit publik (RTSH) nga ana e gjashtë studentëve të gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Programi i stazhit u zhvillua në kuadrin e projektit “Media në Fokus”, projekt ky i financuar nga BE i cili po zbatohet nga Prezenca e OSBE-së me synim fuqizimin e transmetuesit publik shqiptar (RTSH) dhe degës së Gazetarisë të Universitetit të Tiranës.