Në Shijak po vijon me ritme të shpejta puna për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për meremetimin e thellë të 27 pallateve me dëme DS1-DS3. “Meremetimet e thella të 27 pallateve do të përmbyllen në dhjetor, ku jo vetëm po riparohen dëmet e 26 nëntorit të shkuar shtëpi me shtëpi, shkallë më shkallë e mur më mur, por godinat po rilindin shumë më të sigurta e më të bukura se përpara goditjes”, u shpreh Rama.

Ndërhyrjet konsistojnë në strukturën e pallateve, duke forcuar kolonat dhe muret mbajtëse si dhe meremetimin. Banorët e pallatit në takimin me Kryeministrin vlerësuan punën e kryer nga bashkia e Shijakut. Ata u shprehën se vet do ta kishin të pamundur t’i riparonin sërish shtëpitë e tyre.

Tanimë, shprehet kreu i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, pallatet janë të sigurta. Përveç apartamenteve, është kryer edhe rehabilitimi i shesheve në funksion të qytetarëve, si dhe në çdo pallat është pajisur me sistemin zjarrfikës.