Disa muaj para zgjedhjeve të prillit 2021, në një moment kur ende nuk ka qartësi se si do të rreshtohen partitë politike sa i takon koalicioneve,”Java në RTSH” ka hedhur dritë në pikën ku ndodhet opozita shqiptare lidhur me këtë çështje. Rudina Hajdari u shpreh në emision se brenda nëntorit pritet të prezantohet partia e re ku ajo do të jetë pjëse. Deputetja e djathtë u shpreh se kurorëzimi i kësaj force do të bëhet sëbashku me nismën ‘Thurje’.
“Kemi disa kohë që e kemi paralajmëruar krijimin e lëvizjes së re. Aktualisht jemi në fazën e fundit dhe po përzgjedhim kandidatët që do të na përfaqësojnë në të gjithë vendin. Ne mendojmë se në 30 vite nuk ka ekzistuar një e majtë apo një të djathtë të mirëfilltë. Ne jemi të barazlarguar nga Lulzim Basha dhe Edi Rama” – tha Hajdari në një lidhje direkte. Ndërkohë për Fatmir Mediun, mazhoranca dhe Edi Rama i bëri ndryshimet kushtetuese të njëanshme dhe në funksion të vetes së tij. Ai u shpreh se ajo që e bashkon opozitën sot është ndërtimi i një platforme të qartë politike të përbashkët.
“Opozita sot është në një fazë ku po analizon se cila do të ishte formula më e mirë për t’u zbatuar. Ideale sipas meje do të ishte formula me dy koalicione. Njëri me bosht PD-në dhe tjetri PS-në. Edi Rama edhe ne 2017 kërkoi që ne të mos ishim në një koalicion me LSI-në” – tha Mediu. Ndërkohë për Vangjel Dulen, opozita do të mbetet e unifikuar edhe pas zgjedhjeve. Ai aku zoi kryeministrin Edi Rama se po tregon mungesë dhembshurie ndaj popullit, dhe këtë sipas Dules, e tregon qartë menaxhimin i pandemisë.
“Cilado që të jetë forma teknike, me një apo me dy koalicione një gjë është e sigurt. Në çdo rast do të jetë një opozitë e unifikuar. Gjithçka do të jetë e rakorduar paraprakisht. Për mua është e qartë se opozita sot dominon me programin e saj, ndaj edhe Rama me artificie të ndryshme dhe ndërhyrje në Kushtetutë të arrijë që të deformojë këtë dominancë” – tha Dule në studion e emisionit “Java në RTSH”.