Në një artikull të CNN, shkruhet se Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump, ka nisur të këshillojë presidentin Donald Trump, që të pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale. Një burim i sigurt, sipas CNN, ka treguar se Melania ia ka shprehur hapur këtë mendim bashkëshortit të saj president.
Gjithashtu bëhet me dije se dhe dhëndri i kandidatit republikan, bashkëshorti i Ivankës, Jared Kushner ka këshilluar Trump-in të heqë dorë nga betejat ligjore dhe të pranojë rezultatin. Kujtojmë që Trump ka kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve dhe ka theksuar se rezultatin do e dërgojë në gjykatat më të rëndësishme të vendit. Ndërkohë kandidati demokrat Joe Biden, ka siguruar tashmë 270 votat e nevojshme elektorale dhe është shpallur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.