Nga Artur Ajazi
Ilir Meta (kryetari de facto dhe de jure i Lëvizjes Socialiste për Integrim), po i përdor për të fundit herë (pasi ata nuk do ti binden dhe qasen më) kandidatët e tij për deputetë në rrethe. Duke i rrotulluar sa në Presidencë sa në parti, dhe duke i prezantuar si “kandidatët e fitores” (si dikur miku i tij shpirtëror Doktori të vetët) Ilir Meta po i qorrolleps ata, duke i parapërgatitur për të qenë deri në 25 Prill 2021 kamikazët e tij politikë, dhe pas asaj date, si njerësit e pavlerë të një partie të shkatërruar. Se si mund ti besosh një partie si LSI-ja sot, dhe një njeriu që tanimë nuk ka gjë në dorë (veç pasurisë tij marramendëse), dhe të pranosh dhe deklarosh se “ne do të fitojmë bindshëm në gjithë vendin”, kjo është më tepër se marrëzi individuale.
Pasi i ka mashtruar dhe lavazhuar nga mëndja e kokës, duket se tani Iliri dhe Monika, po përdorin kamikazët e tyre elektoralë, për të provuar shansin e fundit, atë të marrjes së ndonjë mandati të paktën, me synimin për të shmangur diskreditimin e plotë. Ata që sot Iliri dhe Monika po i prezantojnë si “kandidatët e fitores”, janë kthyer në robotikë të komanduar dhe të mirëpaguar, që veç propogandës bajate dhe thesit me mashtrime, po tentojnë të afrojnë rreth tyre sekserë të vjetër dhe të rinj, për blerje votash. Dihet botërisht se si kanë ecur dhe përfunduar fushatat e kaluara elektorale, kur LSI hynte në “lojë” me fuoristradat e mbushura me turra parash, se si komisarët e asaj partie, nuk ngurronin të derdhnin paranë lumë në blerjen e “të lëkundurve”, madje edhe të atyre që ishin betuar se do të votonin për PD apo PS. Por edhe këto zgjedhje, duket se Iliri (jo president) po tenton ti katandisë në fushëbeteje të ndyrë elektorale. Ka marrë gjithë emrat e lakuar për korrupsion, u ka premtuar se “do të jeni fitues”, dhe u ka ngritur mëndjen aq keq, sa ata qysh tani, po sillen sikur janë “deputetët e ardhshëm”. Në pothuajse të gjitha qytetet kryesore, LSI ka nisur të “peshkojë” të pakënaqurit, dembelët, parazitët, të korruptuarit, të akuzuarit, dhe po i afron si anëtarë shtabesh elektorale, duke mos munguar ti “sajdisë” sipas mënyrës së vjetër.
E bindur në humbjen e LSI, duket se Monika ndjehet më pak entuziaste se Iliri, pasi edhe në rrethe nuk mungon të shprehet në konfidencialitet se “ne po ja bëjmë yzmetin kësaj pune, por me duket e kotë”. Ke të drejtë Monika, ke të drejtë të mendosh dhe ta besosh se e keni të kotë, edhe pse ke hedhur në Parlament këpucë dhe çizme mbi kokat e ministrave, ke të drejtë edhe pse nuk ke munguar në mitingjet e Doktorit dhe Lulëzimit duke u ulur këmbëkryq në bulevard, sepse në fund të fundit, i ka dalë “era” kësaj pune. Nuk mund të blesh përjetësisht vota me para, nuk mund të sillesh si “kovë pusi” sa majtas dhe djathtas kur afron dita e pushtetit, sepse ka ardhur koha tjetër Monika, ajo e shpagimit për gjithçka. Por pavarsisht kësaj, edhe pse Iliri dhe Monika e dinë se pas 25 Prillit 2021, ata nuk do të jenë më si para asaj date, sërish nuk ndalen në skenarët e tyre, ku më i ndyri është keqpërdorja e atyre që deri dje, i kishin ogiçë pas menderes. Ata janë paguar për tu përdorur banalshëm, për të sharë dhe fyer Edi Ramën, për të akuzuar dhe shpifur për çdo deputet apo ministër socialist, dhe së fundi po trajtohen si skllevër të Pashait, i cili do tu marrë erëzin, dhe pastaj ti flakë si paçavure.