Komisioni Qendror Zgjedhor i është përgjigjur përmes një letre kërkesës së Partisë Demokratike që kërkonte informacion për ecurinë e punës së KQZ-së në lidhje me vendosjen e kamerave në qendrat e votimit dhe të numërimit të votave. Në përgjigjen e saj, KQZ-ja sqaron se është duke bërë vlerësimin për kostot financiare të këtij projekti si edhe aspekte të tjera teknike.

KQZ shprehet se, “shumë shpejt do të kalojnë për miratim aktet normative përkatëse, të cilat sikundër e kuptoni për shkak të risive që sjell në zhvillimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, janë duke marrë kohën përkatëse për draftimin. Për momentin në kuadër të realizimit të projektit të vëzhgimit me kamera të qendrave të votimit dhe vendnumërimit të votave, jemi duke bërë vlerësimin mbi koston financiare të këtij projekti si dhe vlerësimin e aspekteve teknike”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organet drejtuese dhe administrata, janë të angazhuar maksimalisht për përmbylljen në kohë dhe me standartet më të larta të të gjithë detyrave dhe përgjegjësive që Kodi Zgjedhor i ngarkon KQZ-së, të cilat me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, janë sfida të shtuara për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të datës 25 prill 2021”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së, drejtuar Partisë Demokratike. Më herët, Partia Demokratike i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një letër mbi implementimin e teknologjisë në zgjedhjet e 2021.

Në letër, PD i drejtohet KQZ dhe për dijeni, ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Delegacionit të BE-së në Tiranë, Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Anëtarëve të Komisionit Rregullator në KQZ, ku thuhej se sipas marrëveshjes së 5 qershorit të miratuar me ligj dhe më 23 korrik 2020 palët politike kanë rënë dakord për përdorimin e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit, si dhe kur bëhet numërimi manual i votave.