Jeffrey Sachs, ishte ekonomisti më i njohur për ekonomitë e planifikuara të Bllokut Lindor,që u shembën 30 vjet më parë. Amerikani këshilloi udhëheqësit e Polonisë që t’ia nënshtrojnë ekonominë“terapisë së shokut”, të bazuar tek tregu.
Gjatë privatizimeve në Rusi në fillim të viteve 1990, ai shërbeu si këshilltar i presidentit të atëhershëm rus Boris Jeltsin.Në atë kohë, “The New York Times” e përshkroi Sachs si “ekonomistin ndoshta më të rëndësishëm në botë”. Por duke qenë se Rusia u zhyt shpejt
në varfëri, disa media në Perëndim e etiketuan atë si një neoliberal me zemër të akullt.
Sot, Sachs po mbështet një riorientim themelor të ekonomisë amerikane. Njeriu që dikur ishte “kumbari” i lindjes së kapitalizmit në Evropën Lindore, po punon tani për të frenuar ndikimin e tregut të lirë në Shtetet e Bashkuara. Madje ai mbështeti të vetëquajturin “socialist” Bernie Sanders në garën për president. Në një intervistë për“Der Spiegel”, ai flet mbi pritshmëritë që ka mbi presidentin e zgjedhur Joe Biden.
Amerikanët votuan largimin e Donald Trumpit. Prisni që ai ta lërë paqësisht postin e preidentit apo jo?
Ai do të largohet, ndoshta duke u ankuar. Nuk do ta përtypë lehtë këtë humbje, por sigurisht që në fund do largohet. Nuk ka asnjë mënyrë që ai të mbetet në pushtet, qoftë edhe me një Gjykatë të Lartë miqësore ndaj tij. Nëse do të ndodhte kjo, kriza këtu do të ishte më e thellë se gjithçka tjetër që kemi përjetuar që nga Lufta Civile, saqë unë do ta konsideroja si një skenar jo realist.
Dikur ju keni punuar si këshilltar për të çuar përpara reformat ekonomike në vendet që kishin shumë nevojë për to, për shembull në Rusi pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Çfarë do ta këshillonit të bënte qeveria e Biden?
Unë besoj në vlerën e një ekonomie sociale të tregut, apo të një ekonomie social demokratike, që nënkupton një ekonomi tregu që qeveriset nga sundimi i ligjit, dhe me institucionet sociale që garantojnë të drejta universale për shëndetin, arsimimin, mjedisin dhe mbrojtjen sociale. Kjo kërkon një sistem të përzier ekonomik, me një rol të fortë të qeverisë që luan rolin e saj në shërbimet sociale, mbrojtjen e mjedisit, dhe në nxitjen e sundimit të ligjit.
Ju u bëtë të famshëm për punën tuaj si këshilltar i presidentit të atëhershëm rus Boris Jeltsin, gjatë valës së privatizimeve në Rusi. Media ju portretizoi si një neoliberal i guximshëm. Tani jeni më pranë “socialistit” Berni Sanders. Kur i ndryshuat pikëpamjet tuaja?
Nuk i kam ndryshuar. Në vitin 1989 në Poloni një gazetar më bëri një pyetje shumë të ngjashme. Dhe unë i thashë: Unë nuk jam ndonjë adhurues i veçantë i versionit të Milton Friedman apo Ronald Reagan për tregun e lirë. Unë identifikohem më shumë si një demokrat liberal, dhe vendi që admiroj më shumë është Suedia.
A ka vende të tjera, modele të tjera që Shtetet e Bashkuara duhet të ndjekin?
Unë do të mbështes modelin më standard evropian, atë të mbulimit shëndetësor universal. Sistemi i kujdesit shëndetësor amerikan është difektoz, pasi është privat, i pabarabartë, financohet kryesisht nga të ardhurat e një punëtori,apo nga shpenzimet e xhepit.
Ai është rreth dy herë më i shtrenjtë se sistemi i Gjermanisë, dhe pa rezultate më të mira. Prandaj reforma shëndetësore është thelbësore. Shoqëria jonë është shumë e pabarabartë,
dhe politika në Amerikë është në thelb një luftë midis atyre me arsim universitar,dhe atyre me shkollë të mesme.
Kjo është ndarja e vërtetë shoqërore në këtë vend. Njerëzit me shkollë të lartë votojnë në shumicë kundër Trumpit, ndërsa të bardhët që kanë vetëm një diplomë të shkollës së mesme votojnë kryesisht pro Trumpit. Kjo është një ndarje që buron nga fakti se arsimi i lartë është jashtë mundësive për familjet e shtresës së punëtorëve.
Si mund të ngushtohet ky hendek?
Diferenca në të ardhura e atyre me arsim universitar, dhe atyre pa këtë arsimim është e madhe, dhe përcakton kaq shumë aspekte të jetës, sa që ne kemi nevojë për reformë të thellë të arsimit, e cila është një sfidë e madhe. Studentët sot kanë rreth 1.6 trilionë dollarë borxhe. Ata nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për t’u diplomuar, por kanë shumë borxhe pasi shkuan në universitet për 1 ose 2 vite, dhe më pas u detyruan të braktisnin shkollën për arsye financiare. Dhe mbeten borxhlinj, por pa përfitimet e një diplome.
Si mund ta ndryshojë presidenti Biden këtë situatë?
Ne vuajmë nga një cilësi shumë e ulët e medias, siç është perandoria mediatike e Rupert Murdoch, që është një sistem propagandistik i bazuar mbi filozofinë libertariane. Gjithashtu, sistemi ynë politik është shumë i korruptuar. Rreth 14 miliardë dollarë u shpenzuan në këto presidenciale, me shuma të mëdha parash që mbështetën të dyja palët, gjë që do të thotë se politikanët janë më të orientuar drejt uljes së taksave për të pasurit, sesa për mbrojtjen sociale ndaj të varfërve.
Çfarëdolloj hapi progresiv që do të propozojë Biden, do të përballet me kundërshtime. Por aido të na fusë në drejtimin e duhur. Meqenëse është një zotëri dhe një bashkues, ai mund të jetë në gjendje të bashkëpunojë me të moderuarit në Partinë Republikane, për të zgjidhur aktualisht qasjet legjislative mbi këto çështje.
Ju e quajtët sistemin e sotëm politik në SHBA një oligarki. A nuk është një përcaktim shumë i ashpër ta krahasosh Amerikën me vende si Rusia dhe Ukraina?
Elementet plutokratike të politikës sonë – shumë para që ndërrojnë duar, dhe përcaktojnë drejtimin e politikës sonë – kanë qenë deri tani mbizotërues. Qoftë mbi mungesen e një veprimi efektiv mbi ndryshimin e klimës, për shkak të lobit të naftës; apo kaosin në sektorin e financave me porosi të Wall Street, që krijoi mega krizën e vitit 2009; apo uljet e taksave ato që nxisin papunësinë e madhe. Që të gjitha këto janë simptoma të politikës që nuk pasqyrojnë nevojat themelore të një personi të zakonshëm, por interesat e këtyre elitave.
Edhe ne në Evropë kemi lobime…
Në Gjermani, njerëzit i paguajnë taksat e tyre, dhe të pasurit nuk janë aq të fuqishëm politikisht. Ndërkohë në SHBA, më të pasurit janë shumë të fuqishëm,pasi financojnë fushatat e politikanëve. Si Biden dhe Trump kishin shumë miliarderë nga pas, që u dhanë shumë para për këtë fushatë.
Dhe historia e kohëve të fundit tregon se këta miliarderë, duan më pas ulje taksash, dhe nuk janë shumë të interesuar për shpenzimet sociale. Kjo praktikë është shumë e ndryshme nga establishmenti evropian.
Disa analistë argumentojnë se interesat e SHBA-së do të jenë të njëjtat, pavarësisht se kush është ulur në Zyrën Ovale…
Kjo është e gabuar. Ka një dallim të madh midis Biden dhe Trump. Trump është një person i rrezikshëm: një gënjeshtar kronik, një narcizist dhe megaloman. Ne e dimë që individët mund ta ndryshojnë në një mënyrë katastrofike rrjedhën e historisë. Trump është një njeri i tillë, një personalitet shumë i errët dhe i deformuar.
Më besoni: Unë jam 66 vjeç. E di që kemi pasur edhe më parë qeveri të këqija më parë. Unë kam jetuar kohën e Nikonit dhe Xhorxh W.Bushit, dy presidentë të tmerrshëm. Por Trump bën pjesën në kategorinë e vet. Joe Biden është një krejt tjetër njeri. Ai beson tek paqja, dhe multilateralizmi. Bota do të jetë shumë më e sigurt nën Biden, sesa ishte deri më sot nën Trumpin. Marrë me shkurtime nga “Der Spiegel”(bota.al)