Vendimi i Komitetit të Ekspertëve për ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 veta do të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese. Ky hap është paralajmëruar nga kreu i PR-së, Fatmir Mediu në një intervistë për Report Tv, për gazetaren Danjela Maloku. Ai tha se një vendim i tillë është bërë për t’i shërbyer kryeministrit Edi Rama dhe si shembull për këtë qëndrim ai solli mbajtjen e seancave plenare që vijojnë të zhvillohen.
“Vendimi i ekspertëve është antikushtetuese. Është jo proporcional, ndalon aktivitete politike, i jep mundësi vetëm qeverisë, ua mohon opozitës. Po punojmë ta çuar në Gjykatë Kushtetuese. Parlamenti vazhdon aktivitetin, ndërsa partitë politike kjo. Kjo bëhet me qëllim manipulimin e zgjedhjeve nuk mund të ketë fushatë elektorale online, raporti është një raport i marrëdhënieve të drejtpërdrejta, ato duhet të dinë kush janë kandidatët, qëndrimet politike dhe të vlerësojnë, përndryshe do të vazhdojmë drejt një procesi të manipulimit pa nisur ende zyrtarisht fushata”, tha Mediu. Në ndryshim nga PD-ja që ka parashikuar që fushatën zgjedhore ta alternojë mes mënyrës tradicionale dhe asaj online, Mediu është krejtësisht kundër. Në këndvështrimin e tij, nuk mund të bëhet kurrsesi fushatë online.
“Fushata virtuale nuk është reale, e sjell politikën në një raport të pranueshme me qytetarin, opozita të kuptojë problemet e kësaj vendimmarrje. Nëse do kemi masa të përkohshme, duhet të shikojmë si t’i respektojmë se COVID po krijon probleme të mëdha, por është e rëndësishme që të funksionojë politika. Çdo bëjmë në këtë situatë, do pranojmë një regjim të korruptuar, prandaj mendoj që procesi zgjedhor duhet t’i vendosë palët në kushte të barabarta”, tha Mediu. Njësoj si aleati i tij i vogël, kreu i PAA-së, Agron Duka, edhe Mediu thotë se nuk mund të dalë në një listë me LSI-në, pasi historia politike e partisë së tij është e lidhur ngushtë me PD, por nuk e ka përjashtuar kategorikisht si mundësi. Ai mohon që t’i kenë ushtruar presione kryedemokratit Lulzim Basha që të mos e përfshijë LSI-në në lista.
“LSI është një faktor i rëndësishëm opozitar dhe asnjë nga ne se ka të drejtën të thotë të përfshihet në lista apo jo. Ne duhet të bëjmë një analizë të qartë, nëse është interes ndërtimi i një koalicioni të vetëm, le ta bëjmë, nëse duhet më shumë se një koalicion, duhet të dalim në qëndrime të përbashkëta. Aleanca jonë është mbi qëllime të përbashkëta, pastaj taktikat elektorale i shërbejnë qëllimit. PR është një raport 30 vjecar me PD, mendoj që as LSi nuk do i leverdiste ishte në një koalicion me PR dhe e kundërta, por mbi bazën e qëllimeve gjithçka mund të ndodhë. PR për interes elektoral i intereson të dalë e vetme, por qëllimi është që asnjë votë të mos shkojë dëm, në favor të Edi Ramës. Këtu është interesi i veçantë i PR, por duhet parë interesi i shqiptarëve, i opozitës”, përfundon Mediu.