Për David Alaba ka një ankand ndërkombëtar, tashmë që është gati të tërhiqet nga Bayern Munich. Në të pritet të marrë pjesë edhe Juventusi, siç raportohet nga “Tuttosport”. Mbrojtësi i datëlindjes 1992 po shkon drejt një lamtumire falas nga Bayern Munich. Dhe bardhezinjtë po e ndjekin situatën e tij me shumë vëmendje. Presidenti Hainer njoftoi publikisht dy javë më parë se ai kishte refuzuar ofertën e rinovimit. Sipas shtypit gjerman flitej për 11 milionë euro, plus 6 të tjera bonuse (bruto). Ofertë që nuk e kënaqte austriakun.

Rummenigge foli për një “derë të hapur”, por marrëdhëniet midis klubit dhe Pini Zahavi, agjent i lojtarit, janë në minimum, pasi Uli Hoenes i është drejtuar atij me kritika të ashpra. Kontrata skadon më 30 qershor 2021, ndaj Alaba bëhet një mundësi ideale për klubet më të mira. Fabio Paratici ka lëvizur tashmë, edhe nëse nuk do të donte të hynte në një ankand. Fakti është që Chiellini tani e ka marrë rrugën e perëndimit të karrierës, ndaj në “Continassa” do të dëshironin një element tjetër me rëndësi ndërkombëtare, për të garantuar një repart që tashmë përfshin Bonucci, De Ligt dhe Demiral.

Alaba ka “lindur” si mesfushor (thuhet se dëshiron të kthehet për të luajtur në atë rol), por te Bayerni, nga viti 2012 e tutje, ai ka luajtur më shpesh si mbrojtës qendror ose i majtë. Një “kartolinë” e bukur për Andrea Pirlo. Jo vetëm austriaku ndodhet në “fletoren” e Paratici. Diego Carlos i Sevilla pëlqehet shumë, për të cilin ekziston një kërkesë për 40 milionë euro, e bërë nga Monchi, çka duket e vështirë për t’u arritur.