Ndarja e Norës dhe Robertit ka qenë vërtet prej një viti lajmi më i komentuar në media, por nga ana tjetër kjo ndarje u menaxhua mirë nga dy protagonistët. Ishte Roberti ai që deklaroi ndarjen publikisht duke mos lënë shkas që ky lajm të zbulohej nga të tjerët. Ndërsa Nora gjatë gjithë kësaj kohe u tregua diskrete duke mos zbuluar asgjë mbi ndarjen e tyre pasi edhe sot e kësaj dite nuk dihet arsyeja pse çifti nuk janë më bashkë.

Dhe mbi të gjitha ata nuk lejuan që ndarja të ndikonte tek vogëlushja e tyre, Renee. Ajo po rritet me dashurinë e të dy prindërve, pavarësisht se Nora e Roberti nuk janë bashkë. Më shumë mbi këtë situatë, Nora tregoi e ftuar në emisionin “Qejfi më i madh se Stambolli” dhe duhet thënë kjo është një nga rrëfimet më të rralla të këngëtares, e cila jetën private e ruan shumë të çmuar. “Renee babin e vetë e do shumë, por me mua është më e lidhur. Jemi përkushtuar të dy shumë që ajo të mos e ndjejë atë çështje, atë problem. Kam marrë komplimente prej shoqeve, prej njerëzve që sa mirë e kemi menaxhuar. Jemi munduar shumë…Uroj që të gjithë prindërit të dinë ta menaxhojnë mirë”, u shpreh Nora.